TIRANË- Pak kohë pasi Elisabeta Mataj, ish-drejtoresha e Postës së Durrësit, u përfshi në skandalin e vjedhjes së fondeve të pensioneve për të cilin është nën hetim, bashkëshorti i saj, Fetah Mataj, është emëruar në një pozicion të ri në strukturat e administrimit të mbetjeve urbane në Durrës. Fetah Mataj, i cili prej vitesh punonte në strukturat komunale të qytetit, është caktuar tashmë si Përgjegjës për Evadimin e Mbetjeve Urbane, një detyrë me përgjegjësi më të larta. Emërimi i tij vjen në një kohë kur Elisabeta Matajt është në akuzë në kuadër të një hetimi për abuzime financiare gjatë periudhës kur drejtonte filialin e Postës Shqiptare në Durrës. Sipas dosjes hetimore, bëhet fjalë për dyshime mbi vjedhjen dhe përvetësimin e rreth 700 milionë lekëve, të cilat lidhen me fondet e destinuara për pensionet dhe ndihmat sociale. Elisabeta Mataj, së bashku me shefen e financës dhe arkëtaren e filialit, u arrestuan nën dyshimet për abuzim me fondet. Ajo u shkarkua nga detyra më 14 korrik dhe u kallëzua në Prokurori nga vetë Posta Shqiptare, pas parregullsive të konstatuara gjatë një kontrolli të brendshëm.
/ZËRI