TIRANË- Pas rreth dy javësh kërkimesh, policia ka arritur të gjejë trupin e pajetë të Eglant Koçit, i cili ishte raportuar i zhdukur që prej mbrëmjes së 4 qershorit. Burime për ZËRI bëjnë me dije se trupi i viktimës është gjetur në një humnerë në fshatin Cerujë, në mes Tiranës dhe Elbasanit. 34-vjeçari Eglant Koçi u zhduk që prej mbrëmjes së 4 qershorit, teksa dyshohet se u mor peng dhe më pas u vra nga Armand Shakaj. Ky i fundit është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, ndërsa në burg ndodhet Enea Zyferi, i cili punonte kamarier në lokalin në pronësi të 41-vjeçarit dhe dyshohet se ka qenë dëshmitar i ngjarjes. Hetimet e deritanishme tregojnë se autori dyshohet se ka përdorur një automjet tip “Porsche” për transportimin e trupit, si dhe një karrotrec për zhvendosjen e tij drejt zonës së Ibës. Më herët, ZËRI publikoi pamjet ku viktima është parë për herë të fundit në zonën e “Sheshit ëilson”, ndërsa motori i tij më pas u gjet në rrugën “5 Maji” në Tiranë. Sakaq, policia vijon kërkimet intensive për kapjen e autorit të dyshuar, Armand Shakaj. Sipas sistemit TIMS rezulton se Shakaj nuk ka dalë jashtë vendit dhe policia dyshon se ai fshihet brenda vendit.
/ZËRI