
TIRANË- Biznesmeni Fatmir Bektashi, edhe pse është nën akuzë për dy vepra penale "korrupsion aktiv" dhe “pastrim parash” në dosjen “Partizani” dhe në dosjen e kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj, vijon aktivitetin e tij si ndërtues. Këtë herë, Bektashi është larguar nga Tirana, aty ku ka ndërtuar komplekse të shumta pallatesh si në zonën e “21-Dhjetorit” ashtu edhe në “Ali Dem”. Firma “Kontakt” e zotëruar nga Bektashi synon të ndërtojë shumë pranë zonës së mbrojtur të Drilonit në Pogradec. Dhe mesa duket, lejen e ndërtimit e ka siguruar pasi në rrjetet sociale, kompania “Kontakt” ka nisur të reklamojë projektin që do të ngrihet në Tushemisht. Sipas projektit, në këtë zonë do të ndërtohet një kompleks i madh me tre kulla të larta dhe disa të tjera më të ulëta që do të kenë njësi banimi dhe shërbimi.
Ajo që nuk dihet është se si e ka marrë lejen Bektashi për të ndërtuar pranë zonës së mbrojtur, a është marrë vlerësimi i Zonave të Mbrojtura? A ka kaluar projekti në Këshillin Kombëtar të Territorit? Si do të ndikojë ky ndërtim në këtë zonë të mbrojtur dhe në florën e faunën e zonës? Në kuadrin e mbrojtjes së mjedisit, zonat e mbrojtura kanë zona buferike që janë hapësira të krijuara për të përforcuar ruajtjen e një zonë të mbrojtur, shpesh në periferi të saj, jashtë apo brenda zonës. Brenda zonave buferike vendosen disa kufizime ligjore dhe zakonore lidhur me përdorimin e rezervave dhe menaxhimin e tyre për të reduktuar ndikimet negative të kufizimeve ndaj komuniteteve fqinje. Zonë buferike do të thotë gjithashtu që 100 metra larg vijës kufi të parkut natyror ti s'mund të ndërtosh, por a është shkelur kjo masë nga kompania “Kontakt” e Bektashit?