TIRANË-Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako i akuzuar për korrupsion pasiv për çështjen e inceneratorit të Tiranës pritet të lirohet sot nga burgu. Më herët GJKKO shpalli Bllakon fajtor për korrupsion pasiv për përfitim të 119 mijë eurosh, dhe përfitim për 7 milion lekë, duke e dënuar me 4 vite burg, që në gjykim të shkurtuar shkojnë në 2 vite e 8 muaj burg. Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh. Me shpalljen e këtij vendimi, masa e sigurisë “arrest me burg” për Alqi Bllakon u shua, ndërsa gjykata urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm nga qelia, nëse ndaj tij nuk ekziston ndonjë masë tjetër sigurie. Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit është në qeli prej gati 2 vitesh, pasi është dënuar me 2 vite e 8 për inceneratorin e Fierit, ndërsa për inceneratorin e Elbasanit, Bllako gjithashtu është lënë në burg për të njëjtën periudhë kohe. Lirimi vjen pasi i është shuar masa e sigurisë si për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit.
/ZËRI