
DUABI- Pak ditë pasi u shoqërua në komisariat, Policia e Shtetit ka konfirmuar arrestimin në Dubai të Durim Bamit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar si i dyshuar për disa vepra penale. Në një njoftim të policisë, thuhet se pritet ekstradimi i 45-vjeçarit në Shqipëri, edhe pse mes dy vendeve tona nuk ka një marrëveshje në fuqi. Vëllezërit Durim dhe Valter Bami fshihen prej disa kohësh në Dubai dhe janë persona të shpallur në kërkim me urdhër-arresti nga SPAK. Sipas dosjes së fundit të SPAK, "Revanshi", Durim Bami akuzohet se ka siguruar kushtet për të vrarë Arben Ndokën, Tori Xheçukën dhe Erigers Mihasin, si dhe rezultonte i përfshirë në kultivimin e kanabisit në Tapizë të Niklës.
Nga ana tjetër, po sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, Durim dhe Valter Bami ishin në ndjekje nga 16 persona të tjerë të cilët kërkonin për t’i vrarë në një luftë të vërtetë mes grupeve më të mëdha kriminale në Shqipëri, me këta të fundit që ofruan 1 milion euro për ‘kokën’ e “të fortit të Niklës”./ZËRI