
TIRANË- Rritja e çmimeve të ushqimeve me 45% që nga viti 2020, duke tejkaluar rritjen mesatare të BE-së prej 33% bëri që nga Kroacia të nisë bojkot supermarketesh dhe jo vetëm.
Të premten, më 24 janar, njerëzit në të gjithë Kroacinë bojkotuan dyqanet, supermarketet dhe pikat e karburantit, duke shprehur kështu revoltën e tyre kundrejt çmimeve në rritje.
Protesta u organizua nga grupi në Facebook “Halo, Inspektore” dhe që në ditën e parë pati një ndikim të dukshëm: numri i transaksioneve ra me 44%, dhe vlera totale e shitjeve ra me 53%.
Mirko Budimir, përfaqësuesi i zinxhirit të shitjeve me pakicë në Shoqatën e Punëdhënësve Kroatë dhe Zëvendës President i Bordit Ekzekutiv të Shoqatës së Tregtisë HUP, foli gjatë programit të lajmeve RTL Danas më 25 janar, një ditë pas bojkotit dhe duke e thënë prerë se kjo lëvizje nuk do të ndryshojë asgjë.
Mirëpo, qytetarët nuk u dorëzuan. E njëjta faqe u përgjigj me sloganin: NJË E premte e re – NJË BOJKOT I RI, duke lajmëruar kështu vazhdimin e kësaj lëvizjeje çdo javë.
Kjo nismë u zgjerua në të gjithë Ballkanin Perëndimor kur në Serbi, Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Slloveni u njoftua për një bojkot të të gjitha marketeve. Së fundmi, e njëjta thirrje është bërë edhe për qytetarët në Kosovë, të cilëve u është kërkuar që të bojkotojnë marketet për shkak të çmimeve të larta. Në të gjitha rrjetet sociale është shpërndarë një poster me mbishkrimin: Kosova bojkoton, 1-7 shkurt!
Në fotot e shpërndara në rrjetet sociale bëhet thirrje të bojkotohen supermarketet e mëdha si: Viva Fresh Store, Meridian, ETC, Spar, Super Viva e Interex.
Një ditë më parë, kjo nismë preku edhe Shqipërinë. Të zemëruar nga rritja e çmimeve, shqiptarët kanë vendosur që të ngrenë zërin kundër rritjes së çmimeve. Një bojkot i marketeve është paralajmëruar nga data 5 shkurt deri më 10 shkurt. Në rrjetet sociale është shpërndarë një poster në të cilin janë listuar edhe supermarketet që do bojkotohen për secilën datë.
Sipas një raporti të fundit të publikuar nga “Numbeo”, një databazë globale që mat kostot e jetesës në qytete të ndryshme të botës, Tirana është renditur në vendin e 92-të nga 141 qytete europiane për kostot e jetesës.
Indeksi i këtij viti konfirmon se Tirana është kryeqyteti më i shtrenjtë në Ballkan, duke lënë pas Beogradin, Shkupin, Sarajevën, Podgoricën dhe madje edhe disa kryeqytete evropiane si Sofja, Bukureshti dhe Budapesti.
Raporti tregon se kostot e jetesës në Tiranë janë sa 41.9% e atyre në Nju Jork. Në krahasim, Beogradi ka një indeks prej 39.4%, Podgorica 35%, Sarajeva 33.5%, Shkupi 31.7% dhe Prishtina 25.3%. Indeksi përfshin shpenzimet për qira, produkte ushqimore, çmimet në restorante dhe fuqinë blerëse lokale. Nga i njëjti sondazh, çmimet e larta të produkteve ushqimore mbeten shkaku kryesor i kostove të larta të jetesës në Tiranë. Sipas raportit, një banor i Tiranës shpenzon mesatarisht 42.5% të shumës që një banor i Nju Jorkut përdor për ushqime. Kjo përqindje është ndër më të lartat në rajon dhe Europë.