
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi nuk janë paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme, për të firmosur për mbylljen e hetimeve, sa i takon çështjes së privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Në vend të tyre në SPAK u paraqitën avokatët mbrojtës, të cilët u njohën me aktet përfundimtare të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa dosja pritet që të kalojë për gjykim në Gjykatën e Posaçme. Do të jetë pikërisht kjo e fundit që do të vendosë nëse hetimet e SPAK janë të plota dhe shteruese, dhe do të çojë më tej procesin gjyqësor, apo do të kthejë pas dosjen për elementë shtesë. Avokatja Klodiana Gjyzari u paraqit në orën 10.00 në Prokurorinë e Posaçme për të firmosur mbylljen e hetimeve të dosjes “Partizani” për kreun e opozitës, Sali Berisha dhe financieren Andia Pustina. Ndërkohë edhe avokati i Jamarbër Malltezit, Klodian Skënderi tërhoqi aktet hetimore.