
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit do të vendosë nesër fatin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Seanca pritet të mbahet në orën 10:00 për të shpallur vendimin. Sot, Veliaj u paraqit për të dytën ditë radhazi për të kërkuar zbutjen e masës së sigurisë “arrest me burg”. SPAK paraqiti edhe prova të reja, të cilat kryebashkiaku Veliaj i kundërshtoi. Kryebashkiaku Veliaj pretendon se provat janë çimka dhe telefonatat e tij me djalin e familjen që sipas tij nuk përbëjnë elementë të rinj ligjorë që mund ta lënë në burg. Gjithashtu, kryebashkiaku Veliaj kërkoi që seanca gjyqësore të mbahej me praninë e gazetarëve. Së bashku me Veliajn në seancë ndodhej edhe biznesmeni Elman Abule, i cili ka ofruar garanci pasurore për lirimin e tij nga qelia e paraburgimit. Gjyqtari Engert Pëllumbi pritet të vulosë nesër edhe vendimin për ankimimin e 3 biznesmenëve të tjerë të akuzuar për korrupsion në këtë çështje.