
TIRANË- 80 subjekte të SPAK kanë përfituar nga amnistia penale, duke rrëzuar propagandën e qeverisë se kjo kategori është e përjashtuar nga amnistia. Mes tyre ishte edhe Fran Frrokaj, që sipas ligjit të amnistisë (numër 33/ 2024) nuk duhet të përfitonte. INA MEDIA shkruan se gjithashtu janë liruar edhe ish-kryetari i Qarkut Gjok Ndoka dhe Lekë Rroku. Një nga personat që do të përjashtohet nga proçedimi penal është edhe djali i ish-deputetit Tom Doshi, i cili aksidentoi biznesmenin Viktor Jushi dhe bashkëshorten e tij. Emiljano Tarja, i hetuar nga ish-Prokuroria për Krimet e Rënda dhe dënuar me 15 vite burgjm për trafikim të të miturve është liruar gjithashtu. Një tjetër i liruar është Klodian Selimi, i dënuar si anëtar i grupit të Lazaratit që sulmoi me armë Policinë e Shtetit.
Nga bonusi i amnistisë ekziston mundësia të fitojë edhe djali i Nurihan Seitit, anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Rei Meta që u dënua me tre vjet burg për vrasje nga pakujdesia të Armando Meshaut, ish-Drejtori i Burgjeve Judmir Shurdhi, Ish-Anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Ardian Hajdari, dhe Ish-Oficeri i Policisë së Elbasanit Leonard Palushi, dënuar për korrupsion, emri i të cilit u përmend nga bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani. Emra të tjerë të gjetur fajtorë, si ai i Ibrahim El Salih, dënuar me 2.8 vite burg për propogandë për qëllime terroriste për ISIS, gjithashtu mund të përfitojnë. Një tjetër emër i konfirmuar që përfiton nga amnistia është Abedin Rexha, i dënuar për vrasjen e ish-Kryetarit të Partisë Demokratike në Has, Behar Kastrati, një mjek i njohur në zonë apo edhe Sokol Sinomati, i njohur ndryshe si “Buzëderri” dhe që u prangos prapë sot.
Në listën e funksionarëve përfitues nga amnistia është ish-gjyqtarja e apelit Mimoza Margjeka, e dënuar për lirimin e një trafikanti klandestinësh kundrejt gati 6 mijë eurove si rryshfet si dhe ish-gjyqtarja e Elbasanit Zamira Vyshka, e cila po vuan dënimin alternativ të shërbimit të provës.