
TIRANË- Alma Arrazi bashkë me tre fëmijët e saj mund të jenë vrarë dhe jo vetëvrarë. Gazetarja Anila Hoxha ka deklaruar se kryefamiljari Erdgys Arrazi është duke u mbajtur në një dhomë të veçuar ku nuk i lejohen kontaktet me askënd tjetër, përveç avokatit. Nga ana tjetër, Prokuroria e Shkodrës ka dyshime dhe në lidhje me kunatën e Alma Arrazit, personin e fundit që ka takuar 4 viktimat. Prokuroria ka dyshime që ajo nuk është treguar e sinqertë në dëshminë e saj. Fillimisht ajo ka deklaruar se Alma i kishte thënë se do të ikte në shtëpi të qetësohej, dhe në dëshminë e dytë ajo ka deklaruar se viktima i kishte thënë se do ta merrte me taksi vëllai i saj, për të shkuar në Durrës. Policia dhe prokuroria po hetojnë gjithashtu në lidhje me vendndodhjen e tij, në momentin kur Alma Arrazi dhe tre fëmijët e saj dyshohet se janë hedhur në lumin Buna. Nga ana tjetër, e dashura e Erdgys Arrazit, nuk është marrë ende në pyetje. Kjo për shkak se e reja ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike. Edhe telefoni i viktimës Alma Arrazi nuk është gjetur ende, i cili mund të ishte një element i rëndësishëm në zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Një ditë më parë u publikuan dhe pamjet filmike, që tregonin për herë të fundit gjallë Alma Arrazin dhe tre fëmijët, teksa del nga kafja, dhe më pas përshëndetej me kunatën.