GJIROKASTËR-Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Gjirokastrës, ku një 12-vjeçare dyshohet se është abuzuar seksualisht për 2 vite me radhë nga partneri i nënës së saj. Shtetasi Kelmend Krusa, së bashku me të vëllanë e tij, Klodian Krusën, u vunë në pranga pak ditë më parë, si autorë të dyshuar të vrasjes së shtetasit, Artur Lleshi, babait të vajzës së mitur që dyshohet se është abuzuar seksualisht. E ëma e vajzës së mitur, pas zhdukjes në rrethana të mistershme të bashkëshortit të saj në vitin 2018, i cili më pas u gjet i vrarë, u largua në drejtim të Gjirokastrës, duke bashkëjetuar pikërisht me Kelmend Krusën, ndërsa me vete mori dhe fëmijët e saj. Kelmend Krusa rezulton që të jetë dhe kushëri, ç'ka e bën edhe më tronditëse historinë, që përfshin vrasje, abuzim seksual, dhe lidhjet e afërta familjare. Në lidhje me vrasjen, Lulëzim Lleshi, vëllai i viktimës Artur Lleshit, ka lëshuar akuza të forta për ish-gruan dhe ish-kunatën. Ai ka deklaruar se dy vëllezërit binjakë, Klodian dhe Klement Krusa, iu morën gratë atij dhe vëllait të tij të ndjerë.