TIRANË- Një ngjarje e rëndë u regjistrua mesditën e sotme në Kamëz, ku dy vëllezër mbetën të vrarë. Autori, punonjës i Policisë Ushtarake, ka qëlluar ndaj tre vëllezërve nga Tropoja, ku dy prej tyre humbën jetën, ndërsa vëllai i tretë ka mbetur i plagosur. Viktimat janë Selam Islamaj dhe Nazmi Islamaj, ndërsa vëllai i tretë që mbeti i plagosur është Shefqet Islamaj. Sipas informacioneve paraprake, autori Ngushëllim Mazni ishte fqinj me vëllezërit, ndërsa dyshohet se shkak i konfliktit mes tyre është bërë një mur rrethues në oborrin e banesave të vëllezërve. Sipas banorëve të zonës, në momentin kur në vendngjarje kishte mbërritur një betoniere, autori kishte kundërshtuar hedhjen e betonit, çka solli nisjen e debatit mes tyre, i cili më pas përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit. Menjëherë pas ngjarjes, autori i dyshuar është arrestuar nga policia, të cilët kanë sekuestruar edhe armën e zjarrit që dyshohet se është përdorur në krim. Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
/ZËRI