TIRANË-Çmimi i naftës në tregun me pakicë në Shqipëri ka shënuar rritje të vazhdueshme që prej 4 marsit, si pasojë e luhatjeve të forta në tregjet ndërkombëtare pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme. Në disa pika karburanti në Tiranë, nafta shitet deri në 189 lekë për litër, rreth 14 lekë më shumë krahasuar me nivelin para nisjes së tensioneve. Vëzhgimet në terren tregojnë se disa stacione kanë rritur çmimin me rreth 7 lekë për litër, duke kaluar nga 182 lekë më 6 mars në 189 lekë. Edhe benzina ka shënuar rritje në disa pika, ndërsa në stacione të tjera çmimet kanë mbetur rreth 182 lekë për litër. Kjo lëvizje lidhet drejtpërdrejt me shtrenjtimin e naftës në bursat ndërkombëtare, ku çmimi ka arritur deri në 103 dollarë për fuçi, nga 65 dollarë më parë, pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme. Si pasojë, ndikimi është reflektuar pothuajse menjëherë edhe në tregun shqiptar të karburanteve.
/ZËRI