TIRANË-Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK dhe vendosi kalimin për gjykim të Amar Shkëmbit dhe Bledar Polovinës, të dyshuar për përfshirje në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, në mbikalimin e Shkozetit. Amar Shkëmbi ishte shpallur në kërkim nga SPAK dhe u ekstradua nga Dubai në Tiranë në tetor të vitit të kaluar. Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria, Shkëmbi dhe Polovina, së bashku me Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj dhe Ariol Halilaj, dyshohet se kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke kryer vepra penale si vjedhje, mbajtje pa leje të armëve, tentativë vrasjeje ndaj funksionarëve publikë dhe vrasje në rrethana të tjera cilësuese. Ngjarja ndodhi më 1 nëntor 2019, ku mbeti i vrarë Andi Maloku, dhe u plagosën Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut”.
/ZËRI