TIRANË- Sekretariati i Etikës vendosi përjashtimin e deputetit Agron Shehaj për 60 ditë nga pjesëmarrja në komisionet parlamentare dhe seancat plenare. Mësohet se masa disiplinore do të hyjë në fuqi në muajin shtator. Vendimi është marrë këtë të martë, vetëm një ditë pas incidentit, dhe pas kërkesës së Partisë Socialiste që kërkoi marrjen e një mase disiplinore ndaj deputetit Agron Shehaj, pas publikimit të videos ku ai shfaqet duke marrë një kopje të marrëveshjes së huasë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes. Pas vendimit, sekretari i Këshillit të Etikës në Kuvend, Ulsi Manja, deklaroi se do të jetë vetë Partia Socialiste që do ta depozitojë në SPAK kallëzimin për kreun e Partisë Mundësia. Ngjarja ndodhi një ditë më parë, teksa në Kuvend zhvillohej seanca plenare, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, mori kopjen e vetme të marrëveshjes me SHBA për pajisjet ushtarake dhe është larguar me vrap për ta lexuar.
Në pamjet e bëra publike, Shehaj shihet duke u larguar me nxitim teksa pas tij e ndjek këshilltarja, e cila në nxitim e sipër, rrëzohet nga shkallët./ZËRI