BRUKSEL- Raporti i KE-së 2026 për Shqipërinë evidenton se liria e shprehjes ka arritur një farë progresi, por ende mbeten aspekte që kërkojnë përmirësim. Sipas raportit, pavarësia e medias, transparenca e pronësisë dhe financimit, si dhe mbrojtja e gazetarëve vijojnë të mbeten sfida në Shqipëri.
"Shqipëria ndodhet ndërmjet nivelit të përgatitjes së caktuar dhe atij të moderuar të përgatitjes në fushën e lirisë së shprehjes dhe ka shënuar njëfarë progresi gjatë periudhës së raportimit, veçanërisht sa i përket përafrimit të kuadrit të saj ligjor me acquis të BE-së (legjislacionin e Bashkimit Evropian) dhe standardet evropiane.
Shqipëria ofron garanci ligjore të pamjaftueshme për lirinë e shprehjes, ndërkohë që mjedisi mundësues duhet të përmirësohet në mënyrë që mediat të mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre lirisht, në mënyrë të pavarur dhe profesionale. Shqipëria i ka përjashtuar gazetarët e regjistruar nga zbatimi i dispozitave penale për shpifjen, në kushte të caktuara, megjithatë dekriminalizimi i plotë i shpifjes ende nuk është arritur", thuhet në raport.
Sipas raportit, pavarësia dhe pluralizmi i medias vazhdojnë të preken nga depërtimi ekonomik në tregun mediatik prej grupeve të biznesit me lidhje politike, si dhe nga ndërthurja e interesave politike, të biznesit dhe të tjera; mungesa e transparencës mbi burimet e financimit; përqendrimi i lartë i pronësisë së medias; si dhe nga aktet e frikësimit, fushatat e shpifjeve, paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) dhe kushtet e pasigurta të punës për gazetarët.
Për vitin e ardhshëm, KE rekomandon që Shqipëria të miratojë reforma të mëtejshme të kuadrit ligjor dhe rregullator, të mbrojë gazetarët nga sulmet dhe kërcënimet, si dhe përmirësimi i kushteve të gazetarëve.


Rekomandimet e Komisionit Europian për vitin e ardhshëm
Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet të përqendrohet veçanërisht në këto drejtime:
1. Reforma të mëtejshme të kuadrit ligjor dhe rregullator të medias
Të miratojë reforma të mëtejshme të kuadrit ligjor dhe rregullator, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent, me qëllim:
• Zbatimin e plotë të masave për garantimin e transparencës së pronësisë së mediave, forcimin e pluralizmit mediatik dhe pavarësisë editoriale.
• Forcimin e transparencës së financimit të mediave nga burimet private dhe shtetërore.
• Forcimin e autonomisë së autoritetit rregullator të medias dhe pavarësisë së transmetuesit publik.
• Shfuqizimin e plotë të dispozitave penale për fyerjen dhe shpifjen.
• Përafrimin e aspekteve civile të shpifjes me standardet europiane.
• Garantimin e mëtejshëm të shpërndarjes së drejtë dhe transparente të reklamave shtetërore, si dhe forcimin e aksesit në informacionin publik.
2. Mbrojtja e gazetarëve nga kërcënimet, sulmet dhe paditë SLAPP
Të garantojë më tej tolerancë zero ndaj frikësimeve, kërcënimeve dhe fushatave denigruese, si dhe të sigurojë mbrojtje efektive kundër padive strategjike ndaj pjesëmarrjes publike (SLAPP).
Gjithashtu, të garantojë zbatimin e ligjit në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, përfshirë ndjekjen e tyre nga organet gjyqësore.
Të forcojë më tej kapacitetet e organeve ligjzbatuese për trajtimin e rasteve të dhunës, përfshirë incidentet që ndodhin gjatë ose në kontekstin e protestave, si dhe rastet e tjera penale që përfshijnë gazetarët.
Në veçanti, duhet të garantohet respektimi i standardeve të larta të të drejtave të njeriut gjatë trajtimit të incidenteve që përfshijnë gazetarët, përmes:
• Udhëzimeve detyruese për organet ligjzbatuese.
• Procedurave disiplinore, administrative dhe/ose gjyqësore.
• Mbledhjes dhe administrimit të të dhënave.
• Masave për ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
3. Përmirësimi i kushteve të punës së gazetarëve
Të përmirësojë kushtet e punës së gazetarëve shqiptarë, veçanërisht duke forcuar mbrojtjen e të drejtave të tyre të punësimit dhe të drejtave sociale, si dhe duke garantuar zbatimin e njëtrajtshëm të Kodit të Punës./ZËRI