
SHBA- Shkencëtarët kanë zbuluar se bimët mund të "dëgjojnë" gumëzhimën e bletëve dhe nisin prodhojnë më shumë nektar kur janë pranë tyre. Sipas një studimi të ri, bimët janë "partnere" më aktive nga sa mendohej më parë në marrëdhënien e tyre simbiotike me insektet pjalmuese. Kjo sjellje mund të jetë një strategji mbijetese, në mënyrë që bimët t’u japin nektar bletëve dhe jo të ashtuquajturve “hajdutë të nektarit”, të cilët nuk kanë asnjë përfitim riprodhues.
"Ka gjithnjë e më shumë prova që si insektet ashtu edhe bimët mund të ndiejnë dhe prodhojnë ose transmetojnë sinjale akustike vibruese,"- tha profesoresha Francesca Barbero, një zoologe në Universitetin e Torinos, e cila udhëhoqi hulumtimin.
Në të ardhmen, sipas ekipit të kërkimit, tinguj të tillë mund të përdoren në bujqësi si një mënyrë miqësore me mjedisin për të rritur pjalmimin e të korrave.
Si dëgjojnë bimët?
Shkencëtarët ende nuk janë të sigurt se si mund të dëgjojnë bimët. Ata mund të mbështeten në mekanoreceptorë, qeliza që i përgjigjen stimujve mekanikë si prekja, presioni ose dridhjet.
"Bimët nuk kanë tru, por ato mund ta ndiejnë mjedisin dhe të reagojnë në përputhje me rrethanat,"- tha Barbero.
Pasi vëzhguan se bletët dhe insektet kanë sinjale të dallueshme vibruese të përdorura në çiftëzim dhe forma të tjera të komunikimit, Barbero dhe kolegët e saj vendosën të hetojnë nëse bimët i zbulojnë këto sinjale./ZËRI