
AFRIKA E JUGUT- Ish-kampioni i lojërave paraolimpike, Oscar Pistorius është liruar me kusht nga burgu në Afrikën e Jugut, pas gati 11 vjetësh pasi vrau të dashurën e tij, Reeva Steenkamp. Ai e qëlloi partneren disa herë përmes derës së banjës në vitin 2013, duke pretenduar më vonë se e kishte ngatërruar me një hajdut, shkruan BBC.
37 vjeçari u dënua për vrasje në vitin 2015. Pistorius do të jetojë në kushte të rrepta deri në përfundimin e dënimit në vitin 2029. Sipas ligjit të Afrikës së Jugut, të gjithë shkelësit kanë të drejtë të konsiderohen për lirim me kusht pasi të kenë kryer gjysmën e dënimit të tyre total, i cili për Pistorius u caktua përfundimisht në 2017 në 13 vjet e pesë muaj.
Ndërkohë nëna e Reeva Steenkamp, June Steenkamp, tha në një deklaratë: “Ne e kemi ditur gjithmonë se lirimi me kusht është pjesë e sistemit ligjor të Afrikës së Jugut dhe ne kemi thënë gjithmonë se ligji duhet të marrë rrugën e tij. Lirimi me kusht i Oscar Pistorius, në varësi të kushteve të caktuara, ka konfirmuar besimin tim në sistemin e drejtësisë të Afrikës së Jugut”, -tha ajo.
Oscar Pistorius pati një karrierë të suksesshme në pistë, fillimisht në Lojërat Paralimpike, duke fituar medalje të shumta të arta dhe më pas duke ngritur reputacionin e tij pasi konkurroi kundër atletëve të tij në Lojërat Olimpike të Londrës në 2012. Vrasja e Steenkamp vetëm gjashtë muaj më vonë, ishin titujt kryesor në mbarë botën dhe karriera e tij përfundoi aty./ZËRI