SHBA-Pas 30 vitesh ish-kreu i bandës Duane “Keffe D” Davis është shpallur fajtor për organizimin e vrasjes së reperit të njohur Tupac Shakur. BBC shkruan se Davis u shpall fajtor për vrasjeje me armë për vdekjen e ikonës në Las Vegas më 7 shtator 1996.
Prokuroria argumentoi se Davis nuk ishte personi që qëlloi me armë ndaj reperit, por se ai kishte organizuar sulmin dhe kishte siguruar armën që u përdor nga nipi i tij, Orlando Anderson. Sipas akuzës, vrasja ishte një akt hakmarrjeje pas një përleshjeje mes Anderson dhe Shakur, disa orë para atentatit.
Davis qëndroi i heshtur dhe pa shfaqur emocione në sallën e gjyqit teksa u lexua vendimi. Pas shpalljes së verdiktit, ai deklaroi se do ta apelojë vendimin. Vrasja ndodhi në një periudhë kur rivaliteti mes skenës së repit në Bregun Lindor dhe atë në Bregun Perëndimor ishte shumë i fortë. Në atë kohë, konfliktet mes bandave Bloods dhe Crips kishin lidhje të forta me skenën e hip-hopit.
Një nga provat kryesore të prokurorisë ishin deklaratat e vetë Davis. Ai kishte pranuar publikisht në disa raste se ndodhej në Cadillac-un e bardhë nga i cili u qëllua ndaj Tupac. Davis kishte folur për rolin e tij në vrasje edhe gjatë një interviste sekrete me policinë në vitin 2008, në kuadër të hetimeve për vdekjen e reperit tjetër, Notorious B.I.G., emri i vërtetë i të cilit ishte Christopher Wallace.
Ai foli më gjerësisht për rolin e tij në autobiografinë e vitit 2019, “Compton Street Legend”. Prokuroria argumentoi se deklaratat dhe intervistat e Davis e dobësuan mbrojtjen që ai kishte pasur më parë nga autoritetet. Gjykata vendosi se intervista e tij me policinë mund të përdorej si provë në gjyq.
Tupac Shakur ishte vetëm 25 vjeç kur u vra, në kulmin e karrierës së tij dhe në një periudhë kur konsiderohej një nga zërat më me ndikim të muzikës rap. Ai ka shitur më shumë se 75 milionë albume në mbarë botën.