GREQI- Hetimi për rrethanat e vdekjes së këngëtarit grek Giorgos Mazonakis është zgjeruar, ndërsa autoritetet po analizojnë të dhëna të marra nga pajisjet elektronike të sekuestruara në klinikën ku ai ndodhej para se të humbte jetën. Sipas të dhënave të ekspertizës digjitale të raportuara nga media greke Protothema, hetuesit kanë gjetur elemente që mund të ndihmojnë në rindërtimin e minutave të fundit të jetës së artistit.
Një prej pistave që po shqyrtohet lidhet me përdorimin e Inteligjencës Artificiale gjatë momentit të urgjencës. Sipas hetimeve, nga kompjuteri i klinikës janë evidentuar kërkime që lidhen me mënyrën se si mund të shpëtohej një pacient në gjendje kritike.
Autoritetet kanë rikuperuar gjithashtu një fotografi të fshirë nga telefoni i njërës prej mjekeve. Në imazh pretendohet se shfaqet Mazonakis gjatë një procedure plazmafereze. Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë kohën kur është realizuar fotografia dhe nëse ajo lidhet drejtpërdrejt me ditën e ngjarjes.
Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit është kalendari elektronik i klinikës. Sipas të dhënave të publikuara, nga sistemi janë fshirë disa regjistrime që lidhen me takimet e Mazonakis, ndërsa të dhënat për pacientët e tjerë kanë mbetur në sistem.
Hetuesit po verifikojnë ndërkohë edhe orarin e saktë të mbërritjes së këngëtarit në klinikë. Pamjet e kamerave të sigurisë, sipas raportimeve, sugjerojnë se ai ka hyrë në ambientet e klinikës pak pas orës 13:00, në kundërshtim me një orar të dhënë më herët gjatë hetimit.
Për të sqaruar dinamikën e ngjarjes, autoritetet kanë sekuestruar pajisjen e plazmaferezës dhe të dhënat e saj elektronike, së bashku me kompjuterë, disqe, dokumente dhe telefona celularë që i përkasin personelit të klinikës.
Dy mjekë, Ilias Theodoropoulos dhe Ioanna Gaka, janë përfshirë në hetimin e çështjes, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë përgjegjësitë dhe kronologjinë e plotë të asaj që ndodhi.
Shkaku përfundimtar i vdekjes së Mazonakis nuk është përcaktuar ende. Përgjigjet pritet të ndihmohen nga analizat toksikologjike dhe histologjike, të cilat mund të japin të dhëna më të qarta mbi shkaqet dhe rrethanat e vdekjes.
Hetimi vijon dhe të dhënat e gjetura në pajisjet elektronike pritet të krahasohen me dëshmitë, pamjet e kamerave të sigurisë dhe rezultatet përfundimtare mjeko-ligjore./ZËRI