
MAQEDONIA E VERIUT- Muhamed Sejdini, Presidenti i Federatës së futbollit të Maqedonisë së Veriut, i cili u dhunua një ditë më parë, ka dhënë dëshminë e tij përpara Policisë duke treguar mënyrën se si ndodhi ngjarja.
Ai ka rrëfyer se kanë qënë tre persona ata që kanë ushtruar dhunë mbi të, të cilët e kanë pritur dhe i janë afruar në momentin që Sejdini ka dalë nga një restorant dhe më pas e kanë dhunuar. Ai ka shtuar se nuk është në dijeni se kush mund ta ketë kryer sulmin dhe i ka këkuar Policisë të zbardhë ngjarjen sa me shpejtë.
“Për momentin unë nuk mund ta dij se kush e ka kryer sulmin. Isha në restorantin ‘Ballkanika’ dhe në momentin që dola nga parkingu më sulmuan tre persona. Falë Zotit kalova lehtë. Shpresoj që organet e MPB-së dhe gjithë insitucionet relevante do ti marrin masat për zbardhjen e këtij rasti”
Ky incident ndodhi pasditen e të premtës dhe u konfirmua nga zëdhënësi i Federatës, i cili njoftoi se presidenti ishte duke u larguar nga restoranti pas një takimi pune kur disa persona të panjohur e kishin sulmuar atë dhe shoqëruesin e tij./ ZËRI