Qytetërim

Tradita e shtegtimit të bagëtive mbrohet nga UNESCO

Me nisjen e stinës së verës, në qershor, barinjtë me kopetë e bagëtive udhëtojnë drejt bjeshkëve, ku edhe qëndrojnë për 3 muajt e verës.

k.m.
Tradita e shtegtimit të bagëtive mbrohet nga UNESCO
Transhumanca

TIRANË- Shtegëtimi i bagëtive në Shqipëri është futur në listën e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s. Komiteti Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka vendosur që të listojë edhe Shqipërinë, pasi dorëzuan një dosje të përbashkët me Italinë, Austrinë, Greqinë, Spanjën, Francën, Rumaninë, Kroacinë, Luksemburgun dhe Andorrën. Vetë tradita, e njohur botërisht si "Transhumanca" u pranua në UNESCO në vitin 2021, e që prej atij viti autoritetet shqiptare raportuan se do të dorëzonin gjithashtu dosjen e tyre.

Në Shqipëri kjo traditë zhvillohet në zonat e thella malore në veri dhe në jug të vendit. Me nisjen e stinës së verës, në qershor, barinjtë me kopetë e bagëtive udhëtojnë drejt bjeshkëve, ku edhe qëndrojnë për 3 muajt e verës. Atje ngrenë çadra, e marrin me vete të gjitha mjetet e nevojshme për të mbledhur dhe përpunuar qumështin. Tufat e deleve dhe barinjtë, shoqërohen gjithmonë nga qentë e stanit, që zakonisht janë të racës së Sharrit. Pas tre muajsh shtegtimi, barinjtë dhe kopetë e bagëtive kthehen në shtëpi, së bashku me ushqimet e përpunuara nga qumështi i mbledhur. Por aktualisht, kjo traditë rrezikon zhdukjen për shkak të lëvizjes së banorëve të fshatrave drejt zonave urbane, por edhe për shkak të emigrimit.

“Plot një vit pasi xhubleta iu shtua pasurive nën mbrojtjen e UNESCO-s sot Komiteti ndërqeveritar i Mbrojtjes së trashgimnisë Kulturorë Jomateraiale i mbledhur në Botsvana në sesionin e tij të 18 votoi përfshirjen e Transumancës në listën e UNESCO-s. U pranuam me një tjetër traditë që ka jetuar me historinë e njerëzimit në shekuj. Kësaj radhe bashkë me Spanjën, Kroacinë, Francën, Luksemburgun, Androrrën dhe Rumaninë e ju bashkuam kështu Austrisë, Greqisë dhe italisë me dosjen e miratuar më herët në 2019 për këtë dukuri. Transumanca nuk është thjesht tradita e shtegëtimit të bagëtive por është një rituar i lashtë që ka kapërcyer shekujtu dhe shtetet; është një mënyrë jetese e pasur me këngë pastorale, instrumente, veshje dhe kulinari. është jo thjesht një paradë ritesh e festash, por mbi të gjitha një festë për të mbështetur turizmin kulturor në Shqipëri. Për të mbështetur ekonominë e zonave rurale, si dhe për të lartësuar shpirtin e bartësve të kësaj tradite. Jam shumë krenare dhe falenderuese për këdo që i besoi si në në këto vlera dhe dha kontributin në hartimin e një dosje "fituese", në veçanti një falenderim të madh ekspertët. Pas Xhubletës, le të jetë ky lajmi i sotëm një tjetër ogur i mirë edhe për dosjet e tjera tashmë pranë UNESCO-s,”-njoftoi ministrja e Kulturës, Elva Margariti në rrjetet e saj sociale. 

Aktualisht, Shqipëria ka dorëzuar kërkesa të tjera për të shtuar listën e trashëbimnive shqiptare në UNESCO, mes tyre: Kcimi i bjeshkës me tupan të Tropojës dhe këndimi me lahutë i kreshnikëve. Për këto dosje, ende nuk është marrë asnjë vendim. Aktualisht pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s janë Gjirokastra, Butrinti, Berati, liqeni i Ohrit, lumi i Gashit në luginën e Valbonës, si dhe xhubleta./ZËRI

Poll

MOS HUMB