
RUMANI- Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani, Xhorxh Simioni, kandidati i ekstremit të djathtë i Aleancës për Bashkimin e Rumunëve (AUR), korri një fitore të qartë me 41% të votave. Ai la pas Danin, kandidatin e pavarur dhe kryetar aktual të Bukureshtit, që arriti 21%. Simioni përbën kryelajmin e Ballkanit sepse është një përkrahës i hapur i ideologjisë pro-Trump dhe MAGA, i njohur për qëndrime kundër politikave liberale të BE-së mbi klimën dhe të drejtat LGBTQ, si dhe për retorikën e tij nacionaliste dhe euroskeptike.
Simioni ka krijuar shqetësim në qarqet europiane për lidhjet e tij të afërta me figura të mbështetura nga Rusia. Ai, po ashtu, ka qëndrim kritik ndaj ndihmës ushtarake për Ukrainën. Simioni kërkon referendum për bashkimin me Moldavinë. Si kandidat ka mbështetje të fortë në diasporën rumune, veçanërisht në Evropë dhe SHBA, ku ka marrë rreth 60% të votave. Përballja finale mes Simionit dhe Danit në raundin e dytë më 18 maj pritet të jetë e tensionuar.
Fitorja e Simionit do të sinjalizonte një ndryshim të madh në pozicionimin e Rumanisë ndaj BE-së, NATO-s dhe çështjeve gjeopolitike në rajon. Ajo që nuk dihet për kandidatin më favorit të balotazhit të presidencës rumune është se ai është “produkt i tribunave të ultrasve të futbollit”.
“Më shumë kam ngrënë të rrahura, se sa kam dhënë”, ishte shprehur me humor, duke nënkuptuar të kundërtën, kur ishte pyetur kohë më parë për dhunën në stadiume.
Për të: “Stadiumi është pasqyra e shoqërisë”. “Kam mësuar shumë nga bota e futbollit. Para se të studioja gjeografi në shkollë, e mësoja përmes revistave sportive. Blija një revistë dhe kërkoja në hartë ku ishin skuadrat italiane, spanjolle. Më shumë kam mësuar në tribuna se sa në shkollën ‘Xhorxh Lazar’ apo në Universitetin e Bukureshtit", ka treguar ai në një intervistë të hershme, që e citonte sot “Gazzetta dello sport”.
Për të jeta e tribunave ka shërbyer si shkollë për shpirtin dhe trupin, një edukim paralel me kode, hierarki dhe dëshirë për shpagim. Tribunat e ultrasve kanë formuar te ai stilin dhe gjuhën, të cilat vërehet se po i përdor gjerësisht në politikë.
Takimet e tij elektorale duken vërtetë si marshime ultrasish, me slogane të thjeshta e të përsëritura. Simioni ishte pjesë e ultrasve në përballjen e ashpër mes tifozëve rumunë dhe atyre bullgarë në Sofie, në vitin 2007.
Gazeta Sporturilor ka publikuar 30 foto të Simionit si ultras, në rresht të parë. Në vitin 2011, kundër Bosnjës, u pa pranë një pankarte rraciste: “Ciganët i thërrasin ciganët”. Ai pati deklaruar se dikur ishte tifoz i Steauas së Bukureshtit, por me komercializimin e futbollit ndiqte vetëm kombëtaren.
Në 2015, gjatë një proteste në Kishinau, u arrestua dhe u dëbua nga Moldavia për pesë vite. Protestat në kufi dhe mbështetja nga të rinjtë e shndërruan në një figurë popullore në rritje. Simion është nga Focșani, ka studiuar ekonomi dhe në 2010 mbrojti një master me tezën "Krimet e komunizmit". Në 2019 themeloi partinë AUR dhe nisi karrierën politike me një qëndrim të fortë euroskeptik.
Në zgjedhjet evropiane të vitit 2019 mori vetëm 1.3%, por në 2020 arriti 9%, dhe në 2024 18%. Referencat e tij të shpeshta ndaj fesë ortodokse dhe vlerave tradicionale e bëjnë tërheqës për elektoratin konservator dhe fetar. Sportin Simioni e ka në qendër të programit të tij. Një nga sloganet e tij më të forta është “Plani Simion për sportin”. Ai flet për edukim fizik dhe sport masiv, nga -9 muaj deri mbi 80 vjeç.
“Është për shëndetin e kombit", deklaron ai./ZËRI