
SERBI-Kampionati Evropian nis sonte me duelin Gjermani-Skoci me fillim nga ora 21:00. Nesër në mbrëmje do të luajë Kombëtarja e Shqipërisë ndaj Italisë. Ndërsa Serbia dhe Anglia do të luajnë në xhiron e parë të Grupit C në Europian, të dielën në orën 21:00.
Prania e tifozëve shqiptarë, duket se ka frikësuar serbët. Mediat serbe shkruajnë se i ka kapur frika nga prania e 50 mijë shqiptarëve në Dortmund, ndaj mendojnë se ata mund të zhvendosen një ditë më pas në Gelsenkirshen, që nuk është shumë larg, për të shkaktuar kaos me tifozët serbë.
"Sipas njohurive tona, ajo ditë do të jetë shumë “e nxehtë”, sepse në Dortmund janë 50 mijë tifozë shqiptarë. Shumë prej tyre do të vijnë në Gelsenkirshen aty pranë, ku po luan Serbia, për të krijuar kaos. Në ditën e ndeshjes sonë me Anglinë, kjo do të jetë një sfidë e dyfishtë për tifozët tanë për të treguar se askush nuk mund t’i provokojë ata, veçanërisht nëse e dimë që po vijnë edhe huliganët anglezë. Dhjetëra mijëra shqiptarë do të jenë në Dortmund sepse kombëtarja e tyre po luan atje një ditë më parë me Italinë dhe kur të jenë tashmë atje, një ditë më vonë do të shkojnë në një qytet aty pranë për të provokuar serbët”, shkruan Blic.rs.
Referuar medias sportive amerikane ESPN, tifozët shqiptarë përbëjnë kontingjentin më të madh udhëtues të çdo skuadre tjetër, përveç vendit pritës./ZËRI