
GJERMANI- Italia shënoi vetëm një gol në dy miqësoret e fundit përpara nisjes së Euro 2024. Kombëtarja e kaltër barazoi 0-0 me Turqinë, ndërkohë që mposhti minimalisht Bosnjën, falë golit të bukur të interistit Frattesi.
Gjithsesi, forma jo e mirë e skuadrës së Spallettit nuk duhet të krijojë iluzione përpara duelit Shqipëri-Itali (15 qershor), pasi kampionët në fuqi të Europës nuk duhen nënvlerësuar kurrë.
Aq më tepër kur duket sikur kanë probleme dhe nuk ndodhen në moment pozitiv. Edhe pse duhet pranuar se në aspektin kualitativ kjo është një ndër Italitë më pak të frikshme në histori.
Autori i golit u shfaq i lumtur pas ndeshjes për realizimin e tij dhe fitoren, por pranon se ai dhe shokët e skuadrës duhet të përmirësohen në konkretizimin e rasteve të krijuara.
“4 gola dhe 9 ndeshje me Kombëtaren është një bilanc i shkëlqyer, por mund të shënoja të tjerë gola. E di se duhet të përmirësohem shumë. Të gjithë duhet të japim diçka ekstra nëse duam të jemi gati për Euro 2024.
Çfarë mund të kishim bërë më mirë? Krijojmë raste, por duhet t’i menaxhojmë më mirë mundësitë tona. Duhet të finalizojmë, pasi në sfidat e grupit nuk do të kemi kaq shumë raste në dispozicion”, theksoi Frattesi.