
ITALI- Gjykata italiane ka dënuar me 6 vite burg shqiptarin e akuzuar për tentativën e grabitjes së vilës së futbollistit argjentinas, Angelo Di Maria, në kohën kur luante me Juventusin. Dënimi ishte pothuajse sa gjysma e pretencës së kërkuar nga Prokuroria italiane. Sipas mediave italiane, në pranga për ngjarjen përfundoi vetëm një shqiptar, i cili u kap pas një ndjekjeje të gjatë nga Policia. Ndërsa bashkëpunëtorët e tij nuk u identifikuan kurrë.
Shqiptari, i paidentifikuar me emër, u dënua për 14 akuza, pasi ishte përfshirë në një tjetër grabitje.
Gjatë gjyqit, pati debate të forta mes palës mbrojtje dhe akuzës. Por, avokatët arritën që të shpëtonin shqiptarin nga akuza e qitjes me armë në momentin e grabitjes, por jo për ato për agresionin ndaj një zyrtari publik, në këtë rast efektivët e Policisë. Për gjithë çfarë ndodhi mbrëmjen e grabitjes, Prokuroria kishte kërkuar gjithsej 12 vjet e 4 muaj burgim.
"Sulmi ka qenë i frikshëm nga banda kriminale. Ata e sulmuan të armatosur futbollistin, madje dhe me të shtëna armësh, duke e terrorizuar."
Por, kjo akuzë nuk u mor parasysh nga Gjykata, që në këtë rast i uli kohën e dënimit shqiptarit./ZËRI