
TIRANË- Televizioni më i shikuar në Francë, TF1, ka vënë në qendër të vëmendjes Shqipërinë si një destinacion turistik gjithnjë e më të kërkuar. Me titullin “Riviera tjetër: Bumi i turizmit në Shqipëri,” reportazhi tregon transformimin e madh turistik që ka ndodhur në vendin tonë vitet e fundit.
Kryeminsirti Rama në rrjetet e tij sociale u shpreh se reportazhi i TF1 përçon imazhe dhe fjalë të pamendueshme deri pak vite më parë, kur Shqipëria paraqitej në media ndërkombëtare kryesisht për lajme negative. "Sot, Shqipëria po fiton përditë statusin e një destinacioni turistik të shumëkërkuar, ku vazhdon një transformim i pandalshëm," theksoi ai.
Dokumentari i realizuar nga Mélanie Gallard e përshkruan Shqipërinë si "një Eldorado për turizmin në Evropë," duke evidentuar bukuritë natyrore, hotelet elegante dhe mikpritjen që karakterizon vendin. Sipas reportazhit, udhëtarë nga e gjithë bota tërhiqen nga çmimet e ulëta dhe nga zhvillimi i pandalshëm i sektorit turistik në Shqipëri. Vitin e kaluar, numri i turistëve arriti në 10 milionë, dyfish më shumë se dy vjet më parë, një rritje që Gallard e cilëson si "një dhuratë nga perëndia" për shumë shqiptarë pas viteve të vështira ekonomike.
”Të gjitha këto plazhe të bukura, këto limane të vogla, u japin vërtet kënaqësi të madhe këtyre pushuesve që zgjedhin Shqipërinë për të kaluar disa ditë pushimi. Që pas daljes ne pension, Michel dhe Aline kanë vendosur të trajtojnë veten me një pushim jashtë vendit çdo vit. Agjencia e tyre e udhëtimit i bindi të shkonin në Shqipëri, një vend për të cilin nuk dinin shumë, përveç reputacionit të keq” thotë gazetarja.
”Është më lirë se në rajonet e tjera. Kur shkoni në Itali, do të paguani shumë më tepër. Në hotelet që kemi frekuentuar në Kroaci kemi paguar shumë më shtrenjtë krahasuar me cilësinë e hotelit”, vijon turistja.
Shqipëria, vitet e fundit ka kthyer vëmendjen drejt turizmit si një sektor kryesor ekonomik duke u bërë një ndër destinacionet e preferuara të turistëve. Falë pasurive natyrore të larmishme, që përfshijnë detin, malet, lumenjtë dhe pyjet, të cilat të eksplorohen lehtësisht brenda një kohe të shkurtër, shumë tursitë kanë zgjedhur Shqipërinë për të pushuar./ ZËRI