
GJERMANI- Klaus Gjasula u bë i vetmi futbollist që pasi u fut nga stoli, e brenda shumë pak minutave shënoi autogol dhe gol në ndeshjen e Shqipërisë kundër Kroacisë. Por po aq viral sa rekordi i Klausit u bë edhe reagimi i vëllait të tij, Jurgen Gjasulës teksa festonte golin e të vëllait. Ish-futbollisti i Kombëtares Shqiptare, në një intervistë të dhënë për "Vizioni i Pasdites" ka treguar emocionet e ndeshjes së fundit me Kroacinë.
“Unë normalisht, nuk jam një njeri që tregoj shumë emocione, por aty nuk e mbaja dot më, kisha shumë gëzim. Isha shumë krenar për Klausin dhe çunat e tjerë që morën një pikë me një ekip shumë të fortë. Ai nuk e kishte kuptuar akoma mbas ndeshjes çfarë kishte ndodhur, ishte akoma me emocione, kur u kthyem në hotel filloi ta kuptonte. Edhe ai ishte shumë i kënaqur, ka luftuar gjithë jetën për këtë gjë,”- u shpreh ai.
Po ashtu, Gjasula ka treguar se çfarë ka diskutuar me lojtarët, pak para ndeshjes së sotme me Spanjën.
“Tifozët më të mirë në botë na kanë kënaqur jo vetëm çunat në fushëm, por edhe tifozët kanë bërë një përshtypje shumë të mirë. Emocionet janë shumë të larta, nga ajo ndeshja tjetër u qetësova pak, gëzimi është shumë i lartë, mezi po presim të shkojmë në stadium dhe t’i mbështesim çunat. Shpresojmë shumë për një rezultat pozitiv. Besoj që çdo njeri që sheh futboll e di që do jetë një ndeshje shumë e vështirë, por shpresën e kemi. Shpresoj që çunat e kanë vetëbesimin, e rëndësishme është të japim gjithçka, të luajmë me zemër, edhe me ndihmë nga Zoti mund të marrim një rezultat pozitiv. Ndeshja e parë ishte pak më e vështirë, për shumë çuna kishte emocione sepse ishte ndeshja e parë. Ndeshjen e dytë ishim shumë më mirë, kishim më shumë vetëbesim. Prandaj shpresoj që ndeshja e tretë do jetë edhe më e mirë. Duhet të kemi besim. Çunat janë profesionistë. Atra e dinë që po nuk morëm sonte rezultat, nuk na ndihmon. Dje isha te hoteli dhe e pashë që ishin shumë të fokusuar dhe mezi po presin ndeshjen dhe shpresojmë shumë në rezultat të bukur,”- tha Gjasula./ZËRI