
KOSOVË- Xhudistët e Kosovës e kanë mbyllur kampionatin europian me 4 medalje. Në eventin që po mbahet në Montpellier të Francës ku garuan 6 sportistë, të premten medalje të argjendtë fitoi Distria Krasniqi, ndërsa të bronztë Nora Gjakova. Të shtunën dy të bronzta i morën Laura Fazliu dhe Akil Gjakova.
Në kategorinë deri 63 kilogramë, Laura Fazliu në çerekfinale mposhti legjendën franceze Clarisse Agbegnenou, një prej xhudisteve më të mira në histori.
Ka medalje të artë olimpike dhe gjashtë medalje të arta botërore.
Për medalje të bronztë Laura mposhti portugezen Timo Barbara.
Kurse Akil Gjakova, kampion evropian në vitin 2021 e nisi me fitore të veçantë. Ai mundi xhudistin serb, Bajsangur Bagajev. Në raundin e tretë fitoi ndaj bullgarit Mark Hristov. Në luftën për medalje të bronztë, kishte përballë legjendën e xhudos botërore, Lasha Shavdatuashvili. Gjeorgjiani ka tri medalje olimpike, 1 prej tyre një të artë. Ka po ashtu titull botërorë dhe shumë medalje europiane.
Por ndaj Gjakovës ishte inferior. Me Shavdatuashvilin, xhudisti Kosovar ka tri fitore e katër humbje.
Të shtunën garoi Loriana Kuka, që u mund në raundin e dytë nga holandezja Sanne Van Dijke. Deri më tani, Kosova ka 23 medalje në Kampionatet Evropiane, duke fituar rregullisht që nga viti 2013./Zëri.ai