Qytetërim

Sonte Angli-Argjentinë, përballja që ka shkruar historinë e Botërorëve! Tuchel kërkon të ndalë Messin

Përballja mes dy kombëtareve është ndër më të veçantat në historinë e Botërorëve, e shoqëruar prej dekadash me rivalitet sportiv dhe momente të paharrueshme.

M.K.
Sonte Angli-Argjentinë, përballja që ka shkruar historinë e
Messi dhe Harry Kane

Anglia dhe Argjentina përballen sonte në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Botës 2026, në një duel që premton spektakël dhe emocione të mëdha. Sfida do të zhvillohet në Atlanta, ku “Tre Luanët” do të kërkojnë një vend në finalen e madhe përballë kampionëve në fuqi të botës.

Përballja mes dy kombëtareve është ndër më të veçantat në historinë e Botërorëve, e shoqëruar prej dekadash me rivalitet sportiv dhe momente të paharrueshme. Nga triumfi i Anglisë në vitin 1966, te përballja legjendare e vitit 1986 me “Dorën e Zotit” të Diego Maradonës dhe “Golin e Shekullit”, e deri te dramat e penalltive në 1998 dhe përjashtimi i David Beckham pas përplasjes me Diego Simeonen.

Kjo do të jetë përballja e parë mes dy skuadrave pas 24 vitesh dhe gjithashtu ndeshja e parë e Lionel Messit ndaj Anglisë në një karrierë 21-vjeçare me fanellën e Argjentinës.

Ylli argjentinas, i cili ka shënuar 8 gola në këtë Botëror, e ka cilësuar përballjen si një sfidë të veçantë. “Të luash kundër një kombëtareje të madhe si Anglia, me shumë potencial, veçanërisht në një gjysmëfinale të Botërorit, është një kënaqësi e madhe”, është shprehur Messi.

Por pikërisht kapiteni argjentinas është shqetësimi kryesor i anglezëve. Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka theksuar se skuadra e tij duhet të gjejë mënyrën për të neutralizuar ndikimin e Messit në lojë.

“Kjo nuk është një ndeshje e zakonshme. Ne nuk jemi të kënaqur vetëm me arritjen në gjysmëfinale, duam më shumë”, ka deklaruar Tuchel.

Nga ana tjetër, trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka mbrojtur paraqitjen e skuadrës së tij në këtë Botëror, duke kundërshtuar kritikat se kampionët në fuqi nuk kanë bindur me lojën e tyre.

Scaloni ka theksuar se Argjentina është gati për këtë përballje dhe ka zgjedhur të mos komentojë polemikat e ngritura nga mediat angleze rreth përzgjedhjes së arbitrit Ismail Elfath për këtë gjysmëfinale.

Përtej historisë dhe rivalitetit, sfida e sotme pritet të jetë një përballje mes një Anglie që kërkon rikthimin në majën e futbollit botëror dhe një Argjentine që synon të mbrojë kurorën e saj me në krye Lionel Messin.

Poll

MOS HUMB