
SHBA- Pas emrave më të suksesshëm në Hollywood, zakonisht ka histori të panjohura për publikun dhe shpesh të habitshme. Christopher Nolan ka lënë gjurmë në kinematografinë botërore përmes filmave që ka realizuar. Me kalimin e kohës, shumë nga njerëzit me të cilët ai ka punuar kanë nxjerrë në dritë disa nga veçoritë e regjisorit anglez teksa punojnë me të.
Krijuesi i "Interstellar" dhe " Openheimer" vendos disa rregulla për bashkëpunëtorët e tij përpara se të hyjnë në xhirime . Aktorëve dhe teknikëve u kërkohet të kalojnë orë të gjata në studio, pa celularin dhe pa mundur të shkojnë lehtësisht në tualet. Christopher Nolan nuk ka celular dhe kur është pas kamerave, kërkon që të mos e kenë as të tjerët.
"Unë shpërqendrohem lehtësisht, kështu që nuk dua lundroj në internet sa herë që jam i mërzitur,"- i tha ai revistës People në 2020.
Ai pret që kolegët e tij të kenë të njëjtin mendim, në mënyrë që ata të jenë të gjithë të fokusuar në sheshxhirim.
“Pa karrige”
Aktorët që punojnë me Nolanin, përveçse duhet të ndahen me celularët në xhirime, duhet edhe të ngrihen në këmbë.
Arsyeja nuk është gjë tjetër veçse rregulli i dytë i regjisorit, i cili ndalon karriget në shesh. Anne Hathaway zbuloi në "Variety Actors on Actors" se Nolan, me të cilin ka punuar në "Dark Knight Rises" dhe "Interstellar", nuk i lejon karriget dhe arsyetimi i tij është se nëse ka karrige, njerëzit do ulen, kur ulen nuk punojnë më.
"Pa tualet"
Cillian Murphy konfirmoi regjisorit nuk i pëlqejnë "xhirot" në tualet. Këtë gjë e konfirmuan edhe bashkëpunëtorët e tij në "Oppenheimer", Robert Downey Jr. dhe Emily Blunt.
"Ai e urren faktin që mund të humbasë kohën e xhirimit, edhe nëse ka të bëjë me nevojën e pashmangshme njerëzore për të shkuar në banjë,"- tha Downey Jr. Aktori shtoi se Nolan ka dy orare specifike për pushimet e tualetit, në orën 11:00 dhe në orën 6 pasdite.
Por edhe pse në dukje "ekstremiste", aktorët i mbështesin rregullat e tij. Downey Jr tha për xhirimet e "Oppenheimer" se të gjitha këto rregulla i bënë më të përkushtuar në punën e tyre./ZËRI