
LONDËR- Trajneri i Kombëtares Silvinjo së bashku me ndihmësit e tij Dorival Guidoni Junior dhe Pablo Zabaleta ishin këtë të shtunë në Londër, për të takuar sulmuesin kuq e zi, Armando Broja.
Trajneri kuq e zi dhe ndihmësit e tij kanë krijuar një marrëdhënie të shkëlqyer me stafin teknik të Chelseas, të drejtuar nga Pochettino dhe stafi mjekësor i klubit anglez, që ka qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me stafin tonë për të informuar në lidhje me lojtarin.
Broja u dëmtua në dhjetor të vitit 2022 në një ndeshje miqësore dhe ka 9 muaj jashtë fushës së blertë, ndërsa rikuperimi po shkon mirë. Departamenti i Komunikimit në FSHF ka bërë me dije se stafi teknik kuqezi është informuar për gjendjen e Brojës dhe kanë vënë në dukje se shëndeti i lojtarit ka shumë rëndësi për ta.
FSHF ka inkurajuar Brojën që të rikthehet në gjendjen e vet më të mirë dhe i kanë garantuar se do të ketë gjithmonë mbështetje. Nga ana tjetër, stafi mjekësor i FSHF-së vazhdon të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me kolegët e Chelsea-t për monitorim të situatës.
Silvinjo dhe stafi tij kanë qenë ditën e enjte dhe në Varshavë për të ndjekur ndeshjen e Conference League, Legia-Aston Villa. Ernest Muçi shkëlqeu në këtë ndeshje. Silvinjo ka darkuar me talentin kuq e zi. Ata kanë diskutuar për ndeshjet e radhës të Shqipërisë./Zëri.ai/