
TIRANË- Sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho ka rrëfyer emocionet e Masterclass-it në Tiranë, por dhe detaje nga arritjet dhe sukseset e saj. E ftuar ne podcastin e kryeministrit Edi Rama “Flasim”, Jaho ka treguar se ajo sot është në vendin ku ka dashur gjithmonë të jetë.
Sipas saj, që e vogël ka punuar fort për të arritur aty ku është sot, ndërsa ka treguar dhe një “sekret”. Ajo tregoi se ka mbajtur një ditar me ide të qarta se nga ku do të niste dhe se ku donte të arrinte.
Ermonela Jaho: Nuk ka formulë, të them të drejtën, pa bërë shumë histori. Formula e vetme është diçka e brendshme, është ajo energjia, ajo flaka që secili prej nesh ka kur i vë qëllim vetes. Me një punë të jashtëzakonshme sepse dhe ëndrra më e bukur, edhe ajo që duket diçka e jashtëzakonshme, le të themi, do një punë shumë të madhe sepse po të kapeshin ëndrrat kaq kollaj, nuk do të kishin këtë magji. Unë e kam dashur jashtë mase. Ndoshta me kalimin e kohës kam kuptuar që këndimi ka qenë kanalizimi ku unë kanalizoja ato ndjenjat e mia të thëna, të pathëna ku fantazia fluturon dhe nuk ka limit. Të jem shumë e sinqertë, tani po e them, unë kam mbajtur një ditar, një ditar si do doja unë, domethënë ajo ëndrra që fillonte diku, pikërisht që këtu, në Pallatin e Pionerëve e të tjerë e deri që në një ditë do doja të këndoja Traviatën në La Scala, Desdemona e Otello e të tjerë në të gjithë teatrot e botës. Një lloj çmendurie, por ishte kjo fantazia që e kisha bërë në një listë; do arrij këtu, do bëj këtë, do bëj atë dhe e kam sot e kësaj dite këtë ditar.
E ndalur tek Masterclass i hapur në Tiranë, Jaho ka treguar se ka studentë nga Italia, Serbia, Franca etj. Studentët shqiptarë zënë pjesën kryesore.
Ermonela Jaho: Gjithmonë fillojnë me atë gjynah, si ka qenë Shqipëria. Ah ju them! Shqipëria ka qenë, por shikoni domethënë këtë vit, është bërë një atraksion, por ky ka qenë një bum turistik dhe thashë, nuk është vetëm turistik, por është edhe kulturor dhe sikur e tërhoqa këtë gjë. Pse e them këtë. Sepse studentët që kanë ardhur për këtë ëorkshop nuk janë vetëm shqiptarë, por i kemi nga Serbia, nga Italia, nga Spanja, nga Franca, nga Gjermania, kanë ardhur nga rajoni absolutisht. Dhe kur sheh që ky teatër, i ri, i bukur, me kaq energji, po merr edhe studentë të marrin mësime, të bëjnë këtë bashkëpunim eksperience në fushën e kulturës, të operës. Bel kanton e ka Italia, kulturë operistike ka Rusia, ka Franca, Gjermania. Ne kemi, por e kemi të lokalizuar, duhet të jemi të sinqertë për këtë gjë dhe këto vende vijnë te ne, mendoj se kemi bërë të gjithë pa përjashtim, kemi bërë një gjë shumë të mirë, dhe ky është ai zjarri, pozitivitetit, që bëhet si ortek, si lajmet negative, por edhe këto gjërat e bukura që mund të duken të vogla, përpara problemeve të mëdha, po kanë një gjë pozitive dhe të bën ndihesh krenar, jo thjeshtë krenar, të thuash fjalën krenar, se tingëllon bukur në shqip, se është bërë një lloj inflacioni të folurit bukur. Jo më është diçka konkrete. Kështu që edhe po e përjetoj tani./Zëri.ai