
GJERMANI- Qazim Laçi, autori i golit të parë në ndeshjen e Shqipërisë përballë Kroacisë, është historia e një prej shumë fëmijëve të lindur e rritur nga familje emigrante shqiptare, që japin gjithçka për të veshur fanellën e kombëtares kuqezi.
Futbollisti 28-vjeçar, me origjinë nga Dibra, është rritur në shtetin grek, ku shpesh është përballur me paragjykime dhe presione për të ndryshuar mbiemrin, gjë të cilën nuk e pranoi kurrë, dhe sot e ka shkruar emrin në historinë e kampionatit europian.
Ai është grumbulluar për herë të parë me Kombëtaren Shqiptare në vitin 2020, nga tekniku Edi Reja, ndërkohë që fitoi edhe besimin e Silvinjos, për ta grumbulluar në listën e Kombëtares për ndeshjet e këtij kampionati europian.
Laçi së fundi luan me Spartën e Pragës në Çeki, e cila këtë vit ka zhvilluar një sezon tepër të mirë, duke fituar njëkohësisht edhe Kampionatin vendas edhe Kupën, ndërsa talenti i kombëtares kuqezi ka luajtur një rol të rëndësishëm për ekipin.
Krenarinë e grumbullimit me kombëtaren, Laçi nuk e ka fshehur në asnjë moment, ndërsa pas ndeshjes së djeshme, karikoi djemtë e tjerë të ekipit që të mund të shpresojnë për një rezultat pozitiv, në ndeshjen e fundit në grup, atë përballë Spanjës.
“Ashtu si shkoi ndeshja me atë gol në fund, ne e meritonim të paktën një pikë. Ishte performancë shumë e mirë. Jam shumë i lumtur për golin, por më shumë rëndësi kanë pikët sepse tani kemi më shumë besim, për ndeshjen me Spanjën që do të jetë shumë e vështirë dhe pse jo më pas të mos tentojmë për vendin e dytë apo të tretë”, u shpreh Laçi pas ndeshjes me Kroacinë. /ZËRI