Qytetërim

Proteinat në gjak mund të japin paralajmërim për kancerin 7 vite para

Studimi identifikon 618 proteina të lidhura me 19 lloje të kancerit.

k.m.
Proteinat në gjak mund të japin paralajmërim për kancerin 7
Foto ilustruese

BRITANI E MADHE- Proteinat në gjak mund t'i paralajmërojnë njerëzit për kancerin më shumë se shtatë vite para se të diagnostikohet zyrtarisht nga mjekët. Shkencëtarët në Universitetin e Oksfordit studiuan mostrat e gjakut nga më shumë se 44,000 njerëz në Biobank në Mbretërinë e Bashkuar, nga ku mbi 4,900 njerëz zbuluan që kishin kancer. Ata krahasuan proteinat e njerëzve që u diagnostikuan dhe nuk u diagnostikuan me kancer dhe identifikuan 618 proteina të lidhura me 19 lloje kanceri, duke përfshirë atë të zorrës së trashë, mushkërisë dhe mëlçisë. 

Studimi, i financuar nga Cancer Research UK dhe i botuar në Nature Communications, gjeti gjithashtu 107 proteina të lidhura me kancerin, 7 vite para se të diagnostifikoheshin. Autorët arritën në përfundimin se disa nga këto proteina mund të përdoren për të zbuluar kancerin shumë më herët dhe potencialisht të ofrojnë mundësi të reja trajtimi. Por theksuan se për të dalë në përfundime më konrekte, duhet që të vazhdojnë kërkimet.

“Për të shpëtuar më shumë jetë nga kanceri, ne duhet të kuptojmë më mirë se çfarë ndodh në fazat më të hershme të sëmundjes…Tani ne duhet t'i studiojmë këto proteina në thellësi për të parë se cilat mund të përdoren për parandalimin e sëmundjes,"-tha Dr. Keren Papier, një epidemiologe në Universitetin e Oksfordit dhe bashkëautore e studimit. 

Një studim i dytë i lidhur që hulumtoi të dhënat gjenetike nga më shumë se 300,000 raste kanceri zbuloi 40 proteina në gjak që ndikuan në rrezikun për t'u diagnostifikuar me 9 lloje kanceri. Ndryshimi i këtyre proteinave mund të rrisë ose zvogëlojë shanset që dikush të zhvillojë kancer, në disa raste kjo mund të çojë në efekte anësore të padëshiruara./ZËRI

 

Poll

MOS HUMB