
BRESCIA- Ish-sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli është jashtë rrezikut për jetën, pasi u përfshi në një aksident me makinë. Këshu ka lajmëruar klubi turk Adana Demirspor, ku ai po luan aktualisht. Giornale di Brescia raportoi se incidenti ndodhi në qytetin e lindjes së Balotellit, Brescia, kur automjeti i tij u përplas me një mur.
33-vjeçari ka mundur të largohet nga makina, e cila është dëmtuar rëndë. Ish-lojtari i Italisë aktualisht po rikuperohet nga operacioni në gju. “Ju njoftojmë se lojtari ynë Mario Balotelli, i cili u përfshi në një aksident automobilistik ditën e djeshme në vendin e tij, Itali, është në gjendje të mirë shëndetësore, tani po pushon në shtëpinë e tij dhe nuk ka problem shëndetësor”, thuhet në një deklaratë të klubit të kampionatit turk.

Balotelli iu bashkua Demirsporit në shtator dhe bëri pesë paraqitje këtë sezon, përpara se të mos jetë në gjendje të luajë, për shkak të lëndimit. Ai u bë i njohur pasi iu bashkua Cityt nga Interi në vitin 2010, duke i ndihmuar ata të fitojnë Premier League për herë të parë dhe një Kupë FA. Pas largimit në 2013, ai iu bashkua Milanit dhe më pas Liverpoolit, përpara se të kalonte në Francë, Itali, Zvicër dhe Turqi. Ai ka 36 paraqitje me Italinë./Zëri.ai/