
RROGOZHINË – Ka rinisur në Rrogozhinë ndeshja mes Egnatias dhe Partizanit, e ndërprerë më datë 11 nëntor, për shkak të ngjarjes tragjike, që i ndodhi futbollistit Raphael Dwamena.
Përpara se të niste sfida, lojtarët e të dyja ekipeve, por edhe tifozët i kanë dhënë lamtumirën Dwamenas. Ky i fundit ishte në krye të golashënuesve të kampionatit shqiptar dhe ishte bërë një nga personazhet më të dashur për tifozët rrogozhinas.

Futbollistët mbajtën të gjithë një bluzë me foton e Dwamenas, ndërsa nderime bënë edhe presidentët e klubeve respektive. Presidenti i Egnatias, Demrozi dhe ai i Partizanit, Olsi Rama u bashkuan në homazhe për nder të futbollistit.

Raphael Dwamena, një nga futbollistët më të mirë të Superiores, ndërroi jetë në minutën e 24 në sfidën Egnatia-Partizani. Ai kishte pasur probleme me zemrën dhe mjekët i kishin sugjeruar të mos luajë futboll profesionist. Mirëpo, Dwamena ndoqi pasionin. Trupi i tij prehet tashmë në vendlindje, në Ganë./Zëri.ai/