
TIRANË- Policia e Shtetit do të ketë nën përgjegjësi portat e sigurisë në stadiumin "Air Albania".
Në takimin e fundit kundër Polonisë, ka pasur 12 mijë tentativa për të hyrë me bileta false. Minsitri i Brendshëm Taulant Balla e bën të qartë se çdo dokument fals është vepër penale dhe se çdokush që zbulohet me biletë false do të shoqërohet në Polici dhe të nisë hetimi penal.
Ai paralajmëroi se Policia e Shtetit i ka mundësitë që të evidentojë të 22.217 ulëset në impiant, evidentimin e emrit dhe përgjegjësisë dhe se çdo tifoz që do ndjekë ndeshjen me Çekinë, ta ketë të qartë se do të jetë i identifikuar në sistem.
Në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e ardhshme të kualifikueseve të Europianit 2024, Shqipëri-Çeki, që do të luhet më 12 tetor në stadiumin “Air Albania”, drejtuesit e FSHF-së zhvilluan një takim me Ministrin Balla, si edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Muhamet Rrumbullaku.
Balla u zotua se aktet e dhunës dhe thyerja e rregullores së UEFA-s do të marrin fund.
Ndërsa presidenti Duka theksoi se duhet bërë maksimumi nga të gjithë aktorët e përfshirë në mënyrë që të mos rrezikohet dënime të tjera për ekipin Kombëtar.
UEFA gjobiti FSHF me 44 mijë euro dhe paralajmëroi mbylljen e pjesshme të stadiumit në rast se përsëriten incidente në impiant.
Ndërkohë, FSHF është duke punuar që të ofrojë një sistem të ri të biletave online për të minimizuar në maksimum problematikat dhe për të evituar spekulantët, duke pasur dhe eksperiencën e re me shitjet elektronike.
Sipas kreut të instituciontit të futbollit për ndeshjet e ardhshme është biseduar që të përdoret të njëjti sistem që përdor UEFA. "E kishim dhe në finale e UECL, shpresoj do ta arrijmë dhe ai i eliminon të gjitha këto probleme. Nuk është se kemi patur përvojë të madhe me sistemin online, tani kemi filluar, tani kanë dalë problematikat më të shumta”.
FSHF kërkon nga tifozët të mbështetin kombëtaren kuqezi, por edhe të përpiqen të shmangin incidentet në "Air Albania"./Zëri.ai