
MADRID- Kylian Mbappe ka realizuar ëndrrën e tij të fëmijërisë! Sot, zyrtarisht ai u prezantua si lojtar i Real Madrid, në një stadium të mbushur plot me tifozë. Sulmuesi francez, 25 vjeç, nënshkroi një marrëveshje pesëvjeçare me klubin në korrik pas skadimit të kontratës së tij me Paris St-Germain. Prezantimi i tij u vonua për shkak të angazhimit të tij me skuadrën e Francës në "Euro 2024".

Por, duke folur para një turme prej mbi 80,000 spektatorësh në Bernabeu, Mbappe u tha fansave të klubit se kishte ëndërruar për momentin që mund ta quante veten lojtar të Real Madridit.
“Kam kaluar netë të pafundme duke ëndërruar se një ditë do të luaj për Real Madridin dhe sot jam një djalë i lumtur. Familja ime është kaq e lumtur këtu, saqë mund ta shoh nënën time duke qarë. Është një ditë e pabesueshme për mua, e kam ëndërruar këtë ditë që kur kam qenë fëmijë dhe kjo ditë do të thotë shumë për mua. Do jap edhe jetën për këtë klub nëse do të jetë e nevojshme,"-tha Mbappe para tifozëve.

Por nuk harroi që të kujtonte edhe idhullin e tij të futbollit, Cristiano Ronaldon. Fillimisht, përsëriti shprehjen e portugezit, "uno, dos, tres, Hala Madrid!", e më pas puthi stemën e Real Madridit në fanellë.
Pas prezantimit të tij, Mbappe tha në konferencën e tij të parë për shtyp se: E gjitha ishte një përshëndetje për Cristiano Ronaldon. Ai ka bërë histori në këtë klub. Ai gjithmonë më ka dhënë këshilla për lojën dhe aftësinë për të qëndruar i lidhur me pasionin. Unë jam ende askushi në Real, nuk kam luajtur asnjë ndeshje. Por një mirëseardhje e tillë, kur nuk kam bërë asgjë këtu është e pabesueshme. Faleminderit tifozëve Unë dua të tregoj në fushë se çfarë mund të bëj nuk ka vend më të mirë për të fituar tituj.

Për kartonin e Mbappe, PSG pranoi një ofertë rekord botëror prej 259 milion £ nga skuadra e Arabisë Saudite Al-Hilal në vitin 2023, por Mbappe e refuzoi lëvizjen duke e bërë të qartë se donte të transferohej në Bernabeu. Kështu, sulmuesi u largua nga PSG duke shënuar 256 gola në 308 paraqitje.
Ish-sulmuesi i Paris Saint-Germain do të pritet të hyjë në fushë kur Reali të hapë sezonin e ri të La Ligës jashtë në Mallorca më 18 gusht. Pritshmëritë ndaj tij janë të mëdha për Mbappe pasi ai trashëgon fanellën nr.9 të veshur dikur nga Ronaldo./ZËRI