Qytetërim

Përdorte ChatGPT për taktikat e skuadrës, shkarkohet nga puna ish-trajnieri i Spanjës që la ekipin 28 orë zgjuar

Sipas ish-drejtorit sportiv të klubit, Andrei Orlov, Moreno ishte shumë i apasionuar pas ChatGPT dhe e përdorte shpesh për të ndërtuar programin e ekipit, madje edhe për vendime që kërkonin përvojë njerëzore.

l.k
Përdorte ChatGPT për taktikat e skuadrës, shkarkohet nga puna
Robert Moreno

SPANJË- Ish-trajneri i Kombëtares së Spanjës, Robert Moreno, është larguar nga detyra në klubin rus FC Sochi, pasi thuhet se mbështetej tepër te Inteligjenca Artificiale për të marrë vendime të rëndësishme sportive.

48-vjeçari u shkarkua në shtator të vitit të kaluar, pas një ecurie shumë të dobët, ku skuadra arriti të grumbullonte vetëm një pikë në shtatë ndeshje.

Sipas ish-drejtorit sportiv të klubit, Andrei Orlov, Moreno ishte shumë i apasionuar pas ChatGPT dhe e përdorte shpesh për të ndërtuar programin e ekipit, madje edhe për vendime që kërkonin përvojë njerëzore.

Një nga rastet më të përfolura ndodhi gjatë një udhëtimi në Khabarovsk, ku trajneri vendosi të ndiqte me përpikëri një plan të krijuar nga Inteligjenca Artificiale. Sipas këtij programi, lojtarët duhej të stërviteshin herët në mëngjes dhe të qëndronin zgjuar për më shumë se një ditë rresht, gjë që shkaktoi konfuzion dhe pakënaqësi në skuadër.

“Na tha se gjithçka ishte planifikuar nga ChatGPT. Kur pamë programin, u habitëm, sepse lojtarët nuk kishin kohë për pushim”, ka treguar Orlov për mediat ruse.

Ai shtoi se Moreno nuk kërkonte mendimin e stafit apo të futbollistëve me përvojë, por preferonte të mbështetej tek sugjerimet e platformës.

ChatGPT u përdor edhe gjatë merkatos së verës, kur klubi kërkonte një sulmues. Moreno analizoi të dhënat e disa lojtarëve përmes Inteligjencës Artificiale dhe, sipas rekomandimit të saj, u përzgjodh Artur Shushenachev. Megjithatë, ky transferim nuk rezultoi i suksesshëm, pasi lojtari nuk shënoi asnjë gol në 10 paraqitje.

“Teknologjia mund të ndihmojë, por për Morenon u kthye në mjetin kryesor”, u shpreh Orlov, duke theksuar se trajneri kishte humbur kontaktin me ekipin dhe stafin.

Nën drejtimin e tij, FC Sochi ra nga Premier Liga ruse në Ligën e Parë, ndërsa tifozët e kritikuan për stilin e lojës pa efikasitet dhe për metodat e rrepta të stërvitjes.

Në karrierën e tij, Moreno ka drejtuar edhe Kombëtaren e Spanjës në mënyrë të përkohshme dhe më pas si trajner i përhershëm në vitin 2019. Pas rezultateve pozitive fillestare, ai u largua para Euro 2020 dhe u zëvendësua nga Luis Enrique, me të cilin kishte pasur edhe përplasje publike në të kaluarën./ZËRI

Poll

MOS HUMB