
TIRANË- Pas luftës për jetën, duket se gjithçka ka ndryshuar për aktorin e njohur, Genc Fuga. Në fund të muajit korrik, aktori i njohur Genc Fuga pësoi një goditje në tru dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente, por duket se tashmë gëzon shëndet të plotë, e madje ka nisur shoqërimin me miqtë e tij. Paraditen e sotme, aktori i njohur ka shkepur një foto teksa konsumonte një kafe.

"Me Genci Fugën, kolegun e mikun e mirë duke festuar për jetën! Mirëse erdhe Genc!,"- shkruan Taulanda Jupi, e cila ka publikuar edhe fotot në rrjetet sociale.
Disa muaj më parë, bashkëshortja e Fugës, aktorja Eni Jani me anë të një postimi në rrjetet sociale kërkoi ndihmën e kolegëve dhe jo vetëm për të mbledhur shumën e 19 mijë eurove, për t’i shpëtuar jetën bashkëshortit të saj. Megjithatë pavarësisht se shumë e kërkuar ishte vetëm 19 mijë euro, shqiptarët mblodhën gati 50 mijë euro. Ndërkohë që situata e tij, po ashtu hapi një debat të thellë për situatën ku gjendet sistemi shëndetësor në vend në këtë drejtim. Kjo pasi ndërhyrja që do t'i shpëtonte jetën aktorit, duhet të ofrohet edhe nga shërbimi në shtet, gjë që nuk ndodh. Megjithatë me kalimin e ditëve, debati u mbyll, ndërsa të tjerë 'fatkeqë' do të duhet që të paguajnë shërbimin privat, në këmbim të jetës së tyre.