
PRISHTINË – Kosova ka zyrtarizuar trajnerin e ri. I përzgjedhuri i FFK-së është gjermani Franco Foda. 57-vjeçari nuk ishte i aktivizuar nga shtatori i vitit 2022, kur edhe i dha fund aventurës me ekipin e Zurich në Zvicër.
Ai më parë ka drejtuar skuadrën e Austrisë për 5 vite (2017-2022), ndërsa ka punuar edhe tek austriakët e Sturm Graz dhe gjermanët e Kaiserslautern. Foda zëvendëson në pankinën e Kosovës sllovenin Primoz Gliha.
“Urime për trajnerin e ri. Uroj që siç është përputhur programi i tij me projektin tonë, të ketë edhe rezultate. Foda është trajneri i rezultateve. Ne këtë pjesë, ne duam rezultate sepse e kemi bërë zhvillimin tonë. Shpresojmë që Foda të jetë trajneri që do të ngelë në historinë e Kosovës, për ta kualifikuar në garat evropiane. Foda ka qenë në Kosovë para dy javësh. I ka parë kushtet dhe ka vendosur. Ka kontratë dyvjeçare. Në këto dy vjet, në këto garat e radhës, do të realizojmë programin e tij dhe kërkesat tona. Në futbollin tonë s’ka asgjë të sigurt, por ne po përpiqemi ta bëjmë punën sa më të mirë. Foda i ka duart e lira për të vendosur, po vjen me ekipin e tij, nuk do të ketë asnjë ndërhyrje, por do ta ketë mbështetjen e Federatës”, tha presidenti i FFK-së, Agim Ademi./ZËRI/