Qytetërim

Ngjarjet më pikante nga VIP-at tanë

Por, ndarjet dhe martesat nuk ishin të vetmet, disa prej tyre po përballen me probleme me drejtësinë e deri tek dënimi me burg.

Ilva Firaku
Ngjarjet më pikante nga VIP-at tanë
Foto Ilustruese

TIRANË- Njohje të reja, romancë, dashuri, tradhti dhe divorce, viti 2024 i kishte të gjitha! Ky vit padyshim që ishte si një slitë për VIP-at tanë, ku na solli ngjarje të papritshme, po ashtu si të bukura, por edhe të hidhura. 12 muajt e këtij viti padyshim që ndryshuan jetët e këngëtarëve, personaliteteve të medias, apo edhe politikanëve. Disa nga çiftet tanë të famshëm ishin të pafat, përsa i përket dashurisë dhe martesës së tyre, ndërsa për disa të tjerë ajo lulëzoi. Epo dhe të famshmit janë njëlloj si ne, me një rutinë, ngarkesë, lodhje, mbi të gjitha gati për të rënë në dashuri dhe ata na e treguan këtë me njarjet që ata i bënë publike. Por, ndarjet dhe martesat nuk ishin të vetmet, disa prej tyre po përballen me probleme me drejtësinë e deri tek dënimi me burg.

Më poshtë ZËRI ju sjell disa nga ngjarjet më pikante përsa i përket VIP-ave shqiptarë:

Divorci i Princ Lekës dhe Elia Zaharias

Padyshim që divorci mes Princ Lekës dhe aktores Elia Zaharias, i kishte të gjitha dhe ishte një nga ngjarjet më të bujshme të mediave rozë, por jo vetëm. Martesa e tyre zgjati 6 vite, ku së bashku kanë dhe një vajzë 4-vjeçare, Geraldinën. Divorci ish-çifti u kthye në interesin e publikut, pas një videoje të publikuar në mars. Në video, Princi, Elia dhe babai i saj, Gjergji janë duke u konfliktuar, por sherri përshkallëzohet në dhunë. Përdoruesit e mediave sociale e quajtën këtë si një version të serialit të famshëm “The Crown”, por në versionin shqiptar! Ende pa u divorcuar, Princi konfirmoi romancën me fotografen Blerta Celibashi, e cila është 16 vite më e vogël se ai. Raporti mes të dyve nisi kur Leka figuronte ende i martuar ligjërisht me Elian, por tradhtia nuk ishte vendosur si arsye në vendimin e Gjykatës për divorcin, duke e kursyer këtë ‘njollë’ për princin.

Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj

Aktori i humorit Bes Kallaku dhe këngëtarja Xhensila Myrtezaj, padyshim janë dy nga personat më të përfolur në mediat rozë. Ata kanë qenë në vëmendje si për martesën e tyre përrallore, por edhe për divorcin. Vetëm pak muaj, pasi çifti u bënë prindër për herë të dytë, ata njoftuan se po divorcoheshin. Ndërsa, disa javë më parë, ishte vetë Xhensila Myrtezaj që tha se ishte vetë ajo që e mori këtë vendim dhe se nuk ishte aspak i lehtë. Por, u shpreh se e bëri çdo gjë për fëmijët e saj, në mënyrë që ata të rriten të qetë dhe pa probleme. Edhe pse ish-çifti është në proces divorci, ndërsa nuk mungojnë dedikimet për njëri-tjetrin në projektetet e tyre.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

Një nga divorcet më të bujshme ishte dhe ai i presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit. Por, ajo që mori një vëmendje më të veçante ishte se vetë ish-presidenti deklaroi se po divorcohej gjatë një emisioni dhe se për këtë ishte në dijeni vetëm djali tyre, ndërsa Kryemadhi ende nuk e dinte. Të martuar për 26 vite dhe të angazhuar në jetën politike, ky divorc patjetër që ishte diçka e papritur, pasi siç tha dhe vetë Kryemadhi në një deklaratë për mediat: “Divorcin se kisha menduar kurrë, krim pasioni po”.

Një prej çifteve më jetëgjata të politikës, duket se nuk i shpëtuan dot presionit të pushtetit, e së fundi edhe presionit të drejtësisë. Dy muaj më parë, Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish, ndërsa edhe pse me të njëjtat akuza me Metën, Kryemadhi është lënë në “detyrim paraqitje” për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

Enada Hoxha dhe Gerd Vaso

Balerinët Enada Hoxha dhe Gerd Vaso kanë qenë të martuar prej vitesh dhe janë njohur që në periudhën kur ishin në shkollë. Disa muaj pas ndarjes, Hoxha tregoi se ky vit e kishte vrarë shpirtërisht, duke iu referuar ndarjes së saj. Balerina u shpreh se ngjarja në jetën e saj i kishte lënë shenja dhe la shumë mesazhe të "fshehura". Edhe pse nuk e tha, Enada la të kuptohet se ndarja ka ndodhur për shkak të një "gabimi" të bërë nga tashmë ish-bashkëshorti i saj.

Por përtej ndarjeve dhe dramave, ky vit padyshim që solli lumturi në jetën e çifteve të famshëm të showbiz. Nuk mund të lëmë mënjeanë dasmën madhështore të këngëtares Dafina Zeqiri me biznesmenin Kreshnik Gjergjin, apo Lori Hoxhës me Ervis Bajraktarin.

Dafina Zeqiri dhe Kreshnik Gjergji

Këngëtarja Dafina Zeqiri dhe Kreshnik Gjergji vetëm pak muaj pasi konfirmuan lidhjen e tyre të dashurisë, dhanë lajmin e bukur se do të martohen. Çifti fillimisht u martuan në një ceremoni private, ku vetëm rrethi i tyre i ngushtë shoqërorë ishte i ftuar. Më pas, Zeqiri njoftoi se do të organizonte një dasmë të dytë, kësaj here personazhe të njohur ishin të ftuar. Sigurisht, nuk kishte si të ishte ndryshe përveçse një dasmë shumë e bujshme.

Lori Hoxha dhe Ervis Bajraktari

Padyshim kjo është një nga dasmat më luksoze dhe më të përfolura! Trashëgimtarja e Top Channel, Lori Hoxha dhe partneri i saj Ervis Bajraktari kurorëzuan dashurinë e tyre disa-vjeçare. Në këtë dasmë ishin ftuar rreth 200 persona, të cilët janë emrat më të njohur të showbizit, por edhe politikës. Të gjithë të ftuarit thanë se kjo dasmë ishte një klas i paparë, prej organizimit të dekorit, e deri tek pjatat e servirura për të ftuarit.

Por… përtej lidhjeve personale, VIP-at tanë janë përballur dhe me probleme me drejtësinë! Madje, janë dënuar edhe me burg, padyshim që këto janë ngjarje që na shokuan të gjithë ne pasi nuk e prisnim, por ashtu siç e thamë dhe më lart, ky vit ka qenë një slitë për VIP-at tanë dhe ata na kanë tërhequr edhe ne.

Dënimi i Luiz Ejllit me 1 vit burg

Luiz Ejlli, këngëtari dhe fituesi i edicionit të Big Brother VIP Albania u dënua me një vit burg nga Gjykata e Fierit. Ejlli akuzohet se gjatë kohës kur nuk e ushtronte më profesionin e noterit, falsifikoi dokumentat për të justifikuar burimin e paligjshëm të pasurive me prejardhje nga aktiviteti kriminal i Fatmir Abdurramanit. Bëhet fjalë për kohën kur Luiz Ejllit i ishte hequr licensa e noterit me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë.

Sulmi ndaj Klea Prengas nga motrat Berisha

Blogerja Klea Prenga u dhunua barbarisht nga dy motrat Antonela dhe Mariela Berisha. E reja ishte duke ngrënë darkë me shoqet e saj, kur motrat Berisha e i thyejnë një gotë në fytyrë. Ngjarja e rëndë dyshohet se ndodhi pasi motrat Berisha e akuzonin Klea Prengën se kishte ndërhyrë në raportin martesor të Marielës me biznesmenin Mir Pepa. Për këtë sulm gjykata vendosi për Antonelën masën 'detyrim paraqitjeje', ndërsa Marielën 'arrest shtëpie'. Pasi u qetësua zhurma e kësaj ngjarje të rëndë, Antonela në një dalje televizive shprehu keqardhje për atë që ndodhi dhe tha se ishte një gabim. Pas daljes së saj publike, Klea reagoi duke thënë se kjo intervistë nuk është gjë tjetër veçse një tentativë për të manipuluar opinionin publik me gënjeshtra.

Këto 12 muajt padyshim që ishin dinamikë për VIP-at, pasi drama të shumta u shpalosën. Siç janë shprehur dhe vetë ata ky vit ka sjellë emocione të ndryshme tek ta dhe nuk ka qenë i lehtë. Por, në intervistat e tyre, ata janë shprehur se këto ngjarje i kanë ndihmuar të gjejnë vetveten. /ZËRI

Poll

MOS HUMB