Qytetërim

Nga yll te Chelsea në dështim spektakolar te Reali, tërhiqet nga futbolli Eden Hazard

Gjatë karrierës së tij, Eden Hazard ka qenë protagonist për një kohë të gjatë edhe me fanellën e kombëtares belge, me të cilën ka luajtur nga viti 2008 deri më 2022: 126 ndeshje dhe 33 gola.

E.K
Nga yll te Chelsea në dështim spektakolar te Reali, tërhiqet nga
Terhiqet Eden Hazard

BELGJIKË- Eden Hazard, mes të tjerash lojtar i Chelsea dhe Real Madridit, ka shpallur zyrtarisht lamtumirën e tij nga futbolli i luajtur. Një njoftim që kishte disa javë në ajër dhe vjen vetëm në moshën 32-vjeçare: “Duhet të dish të dëgjosh dhe të thuash ndalo në kohën e duhur. Unë e kam realizuar ëndrrën time, të luaj dhe të argëtohem në të gjithë Europën dhe botën”.

Eden Hazard, nga aspekti futbollistik u rrit duke veshur fanellën e Lille, me të cilën bëri debutimin e tij në skuadrën e parë në vitin 2007, vetëm në moshën 16-vjeçare. Që talenti i tij ishte kristal i qartë dukej për të gjithë, sezonet në vijim ishin konfirmim i vazhdueshëm: 6 gola në sezonin e dytë, 10 në të tretin, 12 në të katërtin (ku fitoi Ligue 1 dhe Kupën e Francës) dhe madje 22 në sezonin 2011-2012, i cili është i fundit i tij me klubin francez.

Ato në futbollin transalpin ishin numra që nuk mund të linin askënd indiferent dhe kështu në verën e vitit 2012, Chelsea pagoi rreth 40 milionë euro për të marrë shërbimet e belgut.

Në Londër ai krijoi periudhën më të gjatë dhe më të suksesshme të karrierës, duke ofruar versionin më të mirë të vetes. Në 7 sezone me blutë e Londrës shënoi 110 gola në 352 ndeshje, duke fituar 2 Premier League, 2 Europa League, 1 FA Cup dhe 1 Carabao Cup.

Pasi mbërriti te Real Madridi në verën e vitit 2019 me qëllimet e mira për t’u bërë një nga yjet e “Santiago Bernabeu”, Hazard në vend të kësaj do të përballej me fazën më të errët të karrierës së tij, e shoqëruar nga lëndimet dhe pasimet e shumta të humbura.

Me “Los Blancos” fitoi dy herë La Liga-n, dy Superkupa të Spanjës, një Ligë të Kampionëve, një Superkupë Evropiane, një Botëror për Klube dhe një Kupë të Mbretit, pa u vendosur kurrë si protagonist absolut. Në fakt, në Madrid ai luajti vetëm 76 ndeshje në 4 vite, duke shënuar 7 gola në total.

Gjatë karrierës së tij, Eden Hazard ka qenë protagonist për një kohë të gjatë edhe me fanellën e kombëtares belge, me të cilën ka luajtur nga viti 2008 deri më 2022: 126 ndeshje dhe 33 gola.

Ja postimi i Hazard, ku njofton lamtumirën nga futbolli i luajtur: “Duhet të dëgjosh veten dhe të thuash ndalo në kohën e duhur. Pas 16 vitesh dhe më shumë se 700 ndeshjeve të luajtura, kam vendosur t’i jap fund karrierës si futbollist profesionist. Unë arrita ta realizoja ëndrrën time, luajta dhe u argëtova në shumë fusha të Europës dhe botës.

Gjatë karrierës sime kam pasur fatin të takoj trajnerë dhe bashkëlojtarë të mëdhenj, dua t’i falënderoj të gjithë për momentet e mrekullueshme. Do të më mungoni të gjithë. Falënderoj klubet për të cilat kam luajtur dhe kombëtaren belge.

Faleminderit familjes sime, miqve të mi, atyre që më këshilluan dhe atyre që më kanë qëndruar pranë në momente të mira apo të këqija. Dhe në fund faleminderit të gjithë ju fansave që më keni ndjekur dhe inkurajuar gjatë gjithë këtyre viteve. Tani është koha për të shijuar lirinë dhe provuar përvoja të reja. Shihemi jashtë fushës, miq”.

Poll

MOS HUMB