
SPANJË- Pas muajsh pritjeje dhe pasigurie, edhe pse përflitej qartë, është bërë më në fund zyrtare nga vetë goja e Ksabi Alonsos: ai do të largohet nga Bajer Leverkuseni. Nën drejtimin e tij, klubi gjerman ka njohur periudhën më të artë në historinë e tij, duke fituar tre nga pesë trofetë që ndodhen në vitrinën e klubit – kampionatin e parë të Bundesligës, Kupën e dytë të Gjermanisë dhe Superkupën e parë.
“Ishte emocionalisht e vështirë të ndahesha nga djemtë,” u shpreh Alonso në konferencën e lamtumirës.
Destinacioni i tij i radhës pritet të jetë Reali i Madrid, por komunikimi zyrtar ende mungon. Në klube si Reali ky moszyrtarizim duket normal, duke qenë se ata kanë ende nën kontratë Karlo Ançelotin. Nga ana e tij, Bajeri i Leverkusenit, i karikuar me sukseset e epokës Alonso, ka nisur prej kohësh kërkimin për pasuesin e trajnerit spanjoll.
Emri që kryeson listën është ai i Cesk Fabregasit, i cili ka bërë mrekulli këtë sezon me Komon në Itali.
Fabregasi dhe Alonsoja kanë ndarë për vite të tëra dhomën e zhveshjes te kombëtarja spanjolle, duke fituar së bashku dy Europiane dhe një Botëror. Ata mbulonin të njëjtin rol në fushë. Tani diskutohet të këmbejnë rolet në timonin e Bajerit. Edhe pse me pak përvojë si trajner, Fabregasi ka lënë përshtypje shumë të mira në takimet me drejtuesit e Leverkusen, dhe profili i tij përputhet me filozofinë iberike të klubit. Kështu raportohej sot në mediat gjermane./ZËRI