
BRITANI E MADHE- Përballja SG-Newcastle edhe pse përfundoi pa fitues dhe dy ekipet ndajnë nga një pikë pas barazimit 1-1, ndeshja prodhoi polemika pafund pas penalltisë së akorduar në shtesë në favor të francezëve.
Newcastle ishte shumë afër fitores në Champions League në “Parc des Princes”, por polaku Szymon Marciniak dha një penallti të dyshimtë për ekipin francez. Me Kylian Mbappe që dërgoi topin në rrjetë dhe vendosi rezultatin 1-1. Gazetarët anglezë e cilësojnë skandaloze penalltinë e akorduar nga arbitri i finales së Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Francës në Katar 2022.
“Rregullat janë të qarta, ajo prekje me dorë nuk ishte penallti”, “Vjedhje në Francë” apo “Vendim i neveritshëm”, janë disa prej titujve të fortë në Angli. Ndërkohë që Marciniak akuzohet se ndihmoi PSG-në me vendimin e tij në “limitet” e takimit në kryeqytetin francez.
“Fatkeqësisht, kjo ndeshje do të mbahet mend për këtë vendim të pabesueshëm dhe jo për paraqitjen e jashtëzakonshme të lojtarëve të Newcastle”, u shpreh komentatori i TNT Sports, Ally McCoist.
Edhe në Francë, pavarësisht se ky barazim i mban në lojë, me lojëra fjalësh shprehin atë që ndodhi: “E kanë fatin në duart e tyre”, shkruan L’Equipe në faqen e parë. Newcastle mbyll rrugëtimin në grupin F kundër Milanit në “St. James Park”. Skuadra e Premier League do të kualifikohet nëse thyen kuqezinjtë italianë dhe PSG nuk arrin të fitojë në Gjermani përballë Borussia Dortmund.