
TIRANË- E motra e poetit të ndjerë Agim Doçi, Teuta Doçi ka ndarë me publikun momentet e fundit me të vëllanë. Në një bisedë telefonike për "Shqipëria Live", ajo tregoi se i vëllai shkoi në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, por nuk ia doli dot që të shpëtonte edhe pse mjekët bënë të pamundurën.
Një falenderim bëri për mediat, për mënyrën sesi kishin raportuar lajmin e të vëllait, duke mos i kursyer elozhet.
"Kam shumë emocione. Unë mbrëmë kam parë një intervistë të fundit të Agimit, jam shumë e emocionuar që të flas për Agimin. Pësoi një goditje të rëndë, për të cilën shpresuam se do t'ja dilte. Mjekët bënë të pamundurën, por nuk ia doli. Ju falenderoj të gjithë mediat që kanë shkruar me aq dashuri për Agimin. Për në është shumë e dhimbshme. Nuk di çfarë të them tjetër. Ai ishte sfidant i gjithëçkaje. Ju falenderoj shumë,"-tha sipërmarrësja Teuta Doçi.
Sot, është shuar në moshën 76-vjeçare, poeti i njohur shqiptar Agim Doçi. Lajmi është konfirmuar nga familjarët e tij, ndërsa ceremonia mortore dhe homazhet pritet që të kryhen ditën e nesërme në Tiranë, duke nisur nga ora 11:00. Prej dy ditësh poeti i madh shqiptar ndodhej i shtruar në QSUT, pasi pësoi hemoragji cerebrale në tru. Agim Doçi është autor i mijëra teksteve dhe këngëve shqiptare./ZËRI