
ARABIA SAUDITE- Sulmuesi i njohur francez, Karim Benzema, ka mbyllur prej dy ditësh llogarinë e tij në rrjetin social "Instagram", teksa mediet arabe bëjnë me dije se ai është kthyer në Francë.
Por sot ka reaguar një anëtar i Al Ittihad për Asharq al-Awsat, skuadrës ku aktivizohet futbollisti, i cili ka dhënë më shumë detaje në lidhje me Benzema.
“Benzema kërkoi tre ditë pushim për shkak të rrethanave të veçanta. Ai shkoi në Madrid të enjten në mbrëmje. Karim është një lojtar shumë i mirë, profesionist dhe mbetet i lidhur me ekipin”, tha një prej drejtuesve të lartë të kompanisë.
Sulmuesi francez nuk shënon që prej fundit të nëntorit dhe ka përfunduar në qendër të kritikave në klubin arab, teksa raportohet se ka pasur përplasje edhe me drejtuesit e klubit.
Karim Benzema u transferua me bujë në verë te Al Ittihad, ku ka shënuar 12 gola në 20 ndeshje, megjithatë së fundi duket se është larg formës së tij më të mirë.