
SHBA- Mike Tyson vazhdon përgatitjen e tij për duelin me Jake Paul, që do të zhvillohet më 20 korrik. Ish-kampioni i peshave të rënda e ka marrë shumë seriozisht luftën. Në një intervistë për me Forbes Life ai deklaroi: “Nuk kam pirë drogë dhe as kam bërë seks për ndoshta gjashtë javë”.
Tyson, 58 vjeç, vuri në dukje se vendimi për të hequr dorë nga marihuana dhe seksi është për shkak të disiplinës së vendosur ndaj tij për të arritur në formën më të mirë në duelin që do të mbahet në stadiumin “AT&T”, në Arlington, Teksas, shkruan CNN.
“Po e jetoj jetën time në mënyrë të disiplinuar tani, kështu që do të më duhet të luftoj në mënyrë të disiplinuar,” tha ai.
Në vitin 2018, Tyson u shpreh se e kishte ndërprerë seksin për rreth pesë vjet, sepse besonte se do ta bënte atë një boksier më të mirë. Heqja dorë nga marihuana është pjesë e rregullores së luftimit me Paul, pasi konsumimi i saj është i ndaluar nga Departamenti i Licencimit dhe Rregullimit të Teksasit, i cili mbikëqyr sportet luftarake. Ai mund të rezultojë pozitiv nëse pi marihuanë para luftës.
Tyson, edhe në moshën 58-vjeçare, do të jetë ndoshta kundërshtari më i vështirë i Paulit. Ndërsa Tyson i ka kaluar më shumë se 30 vjet kulmin e tij, ai është një nga boksierët më të arrirë dhe grushtuesit më të egër në historinë e sportit. Fakti që ai po e merr seriozisht luftën duhet ta shqetësojë Paulin. /ZËRI