
NICOSIA- Ka nisur me një incident ndeshja mes Qipros dhe Kosovës, e vlefshme për Ligën e Kombeve. Takimi është ndërprerë për shkak të një pankarte që është gjetur në gardhin e stadiumit në Larnaka. Tifozët e Qipros varën në tribunë një pankartë ku shkruhej: Kosova është Serbi!
Kështu, arbitri e ndërpreu ndeshjen me kërkesë të Kombëtares së Kosovës derisa policia ndërhyri dhe hoqi banderolën.
Pavarësisht fillimit të vështirë, Kosova ka arritur një super fitore në transfertë, e vlefshme për Ligën e Kombeve, në Grupin C2, duke mposhtur 0-4 Qipron. Sfida nisi mjaft mirë për “Dardanët” e Franco Fodës, me Muriqin që shënoi dy herë në minutat 9’ dhe 21’. Pjesa e dytë Albion Rrahmani u fut në fushë nga stoli dhe shënoi golin e tretë në minutën e 48’, ndërsa 7 minuta më vonë, për Kosovën shënoi Devolla.
Kështu Kosova shkon në kuotën e tre pikëve në Grupin C2, ku në dy ndeshje ka një fitore dhe një humbje./ZËRI